Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka folur në forumin e IDU-s në Zagreb për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Sipas tij procesi i anëtarësimit duhet të jetë tërësisht i bazuar në meritë, ndërsa identifikoi disa pengesa kryesore që, sipas tij, po e largojnë vendin nga ky objektiv.
Sipas Berishës, integrimi në BE nënkupton më shumë të drejta për qytetarët, më shumë liri, forcim të shtetit ligjor, si dhe rritje të prosperitetit dhe sigurisë.
“Siç e keni parë ndoshta, nga ajo që paraqiti Dr. Bashkoff, mbështetja e Shqipërisë për integrimin në BE dhe në NATO është në përqindjen më të lartë. Sipas mendimit tim dhe të partisë sime, pasi flas në emër të opozitës, procesi i integrimit nënkupton më shumë të drejta të njeriut, më shumë liri për t’u garantuar qytetarëve tanë, funksionim të shtetit ligjor, më shumë prosperitet dhe siguri.
Por procesi duhet, dhe patjetër duhet të jetë, plotësisht i bazuar në meritë. Vetëm një proces i bazuar në meritë, siç ishte në këtë vend të madh që është model suksesi, mund të jetë i dobishëm për qytetarët e Shqipërisë. Por nëse shikoni marrëdhënien e Evropës me monedhën shqiptare, do të gjeni zhvlerësimin më të fortë në botë të euros dhe dollarit amerikan në Shqipëri. Më i forti! Në Meksikë, në 10 vite është 17%, në Shqipëri në 10 vite është 32%. 32%!
Por çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë një goditje e rëndë për eksportet. Kjo do të thotë një goditje e rëndë për prodhimin. Kjo do të thotë një indeks ndërtimi tre herë më i lartë se mesatarja e Bashkimit Evropian. Nëse u jep për vota 100 euro çdo pensionisti, nëse dekreton 29,000 hektarë plantacione kanabisi, ku për ne, një bimë sjell pothuajse 1,000 euro të ardhura atëherë do të thotë se po bën gjithçka për t’i kthyer zgjedhjet në farsë.
Pa zgjedhje, nuk ka të ardhme. Prandaj, në 10 vite, më shumë se 1,099,000 shqiptarë janë larguar vetëm drejt zonës Schengen, pa llogaritur rajone të tjera. Kështu që, mendoj se procesi më themelor për kombin tim duhet të rikthehet”, tha Berisha.
