Ne prag të stinës së nxehtë, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile ka kërkuar nga bashkitë të marrin masa për menaxhimin e situatave të cilat sipas kreut të AKMC Haki Çako, priten të vështira, bazuar në parashikimet për një verë me temperatura ekstreme. Nga Fieri ku perfaqësuesit vendorë raportuan për masat e administrimit te zjarreve, Çako sqaroi se strukturat në terren janë përgatitur për te punuar me të gjitha kapacitetet dhe se flotës ajrore të mbrojtjes civile do t i shtohen disa avione “Air Tractor” por kjo sipas tij nuk mjafton.
Në mbledhje u diskutua si masë parandaluese edhe asfaltimin e rrugëve rurale. Hapja e rrugëve malore dhe vendosja e hidranteve ne zonat pyjore mbeten me rëndësi për menaxhimin e zjarreve dhe parandalimin e përshkallëzimit të situatave
Mungesa e rrugëve të tilla të quajtura edhe rrugë malore, ishte ndër faktorët që përkeqësuan situatën e zjarreve në zonat e mbrojtura të Darëzezës dhe Pishe-Poros dy vjet më parë me një bilanc prej 700 ha pyll të djegur.
Në Fier gjatë vitit 2025, bilanci i dëmeve nga zjarret ishte më i ulët se dy vjet më parë, megjithatë me 300 ha pyll të djegur dhe 3297 rrënjë dru frutorë vlerësohet një situatë e rëndë.
Bashkitë më të prekura gjatë 2025-ës janë:
Fieri me 85 raste zjarri në pyje dhe objekte
Patosi me 72
Rroskoveci me 57
Mallakastra me vetëm 17 raste por me sipërfaqjen më të madhe të pyjeve të djegur prej 224 ha.
Në ekonomitë bujqësore dëmet më të shumta në dru frutorë si ullishta dhe vreshtari e pësuan
Fieri me 1145 rrënjë të djegura
Patosi me 670 dhe
Lushnja me 640 rrënjë drurësh frutorë të djegura.
