Një trailer i publikuar së fundmi për vazhdimin e shumëpritur të The Devil Wears Prada 2 ka ndezur debat të fortë në rrjetet sociale, përpara se filmi të mbërrijë në kinema më 1 maj.
Në qendër të diskutimeve është një personazh i ri dytësor që shfaqet në klipin 38-sekondësh të publikuar nga 20th Century Studios më 16 prill.
Personazhi “Jin Chao”, i luajtur nga Helen J. Shen, prezantohet si “asistentja e re e ish-asistentes” dhe shfaqet në disa skena përballë personazhit të Andy Sachs, të interpretuar nga Anne Hathaway.
Megjithatë, menjëherë pas publikimit të klipit, rrjetet sociale u mbushën me reagime të ashpra dhe kritika. Disa përdorues e kanë akuzuar prodhimin për “stereotipe të vjetruara” dhe madje për “racizëm të hapur anti-aziatik”, duke e konsideruar mënyrën e paraqitjes së personazhit si problematike.
Sipas komenteve që po qarkullojnë, vëmendja është përqendruar te pamja e personazhit, i cili shfaqet me stil më të thjeshtë veshjeje dhe syze, në kontrast me estetikën elegante të personazheve të tjerë në klip. Kjo ka sjellë pretendime se po përforcohen stereotipe të njohura për komunitetin aziatik si “të mbyllur në studime apo të pasigurt në stil”.
Një tjetër pikë diskutimi ka qenë edhe emri i personazhit, i cili sipas disa përdoruesve në rrjete sociale tingëllon i ngjashëm me një fyerje raciste, duke shtuar më tej polemikën rreth skenave të shkurtra të publikuara.
Filmi pritet të jetë një nga projektet më të ndjekura të vitit, por polemikat e hershme kanë hapur debat për mënyrën e përfaqësimit të personazheve dhe ndjeshmërinë kulturore në Hollywood.
