Ambasada e SHBA në Tiranë bëri të ditur sot se duke fluturuar mbi Bazën Ajrore të Kuçovës, e rinovuar përmes fondeve të NATO-s, ambasadori i Shteteve të Bashkuara në NATO, Matthew Whitaker, dhe Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, diskutuan aftësinë e Shqipërisë për t’u bërë një nyjë logjistike e NATO-s në rajon përmes investimeve në Korridorin VIII.
Gjithashtu ambasada njoftoi se ata diskutuan mënyrat se si Shqipëria mund ta çojë sigurinë rajonale në nivele më të larta përmes rritjes së shpenzimeve në fushën e mbrojtjes.
Ndërsa Ministri Nufi theksoi se me ambasadorin Whitaker vlerësuan bashkërisht rëndësinë strategjike të partneritetit të fortë mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, të ndërtuar në vlera të përbashkëta.
“Shqipëria mbetet e angazhuar për paqe dhe stabilitet në rajon e më gjerë; me këtë frymë diskutuam për nevojën e bashkëpunit më të ngushtë mes aleatëve përballë sfidave”, theksoi Nufi në një postim në rrjetet sociale.
Nufi gjithashtu shprehu mirënjohjen për mbështetjen e palëkundur dhe të fuqishme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i japin Shqipërisë në forcimin e partneritetit tonë strategjik në rajon.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në NATO, Matthew Whitaker po zhvillon një vizitë zyrtare në Shqipëri.
