Në prag të çeljes së sezonit turistik veror, ka nisur një aksion i gjerë për pastrimin e vijës bregdetare të Darëzezës dhe Pishporos, një ndër zonat më të frekuentuara nga pushuesit në qarkun e Fierit. Ky aksion, i ndërmarrë nga Ndërmarrja e Pastrimit të qytetit të Fierit, ka filluar rreth 10 ditë më parë dhe synon rikthimin e pastërtisë dhe standardeve të nevojshme për një sezon sa më të suksesshëm turistik.
Në fazën e parë të ndërhyrjes, puna është përqendruar kryesisht në largimin e mbetjeve plastike dhe inerteve të depozituara përgjatë bregdetit, të cilat janë sjellë nga prurjet e lumenjve Vjosa dhe Seman gjatë periudhës së reshjeve dhe përmbytjeve. Ditën e sotme janë përfshirë në aksion edhe forcat e ushtrisë, nxënësit e shkollave, si dhe punonjësit e Administratës së Zonave të Mbrojtura.
Nga një vijë bregdetare prej rreth 15 kilometrash, deri më tani janë pastruar afro 7 kilometra, ndërsa puna vijon me ritme intensive për të përfunduar në kohë të gjithë segmentin e mbetur.
Darëzeza dhe Pishporo pritet të jenë këtë sezon veror më të pastra dhe më mikpritëse se kurrë, duke ofruar kushte më të mira për të gjithë ata që zgjedhin të kalojnë pushimet pranë bregdetit të Fierit.
