KOSOVË- Kuvendi i Kosovës ka mbajtur një seancë solemne dhe ka nderuar mikun e madh të shqiptarëve, ish-kongresmenit amerikan Eliot Engel.

Në ndërtim të veprës dhe kontributit të tij, seanca ka filluar me një minutë heshtje. Liderët institucionalë dhe politikë të Kosovës kanë çmuar lartë kontributin e ish-zyrtarit amerikan për Kosovën.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës dhe ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu ka thënë se zyrtari amerikan i doli krah Kosovës në ditët më të vështira.

“Në ditët më të vështira të historisë sonë të re, bashkë edhe me shumë kongresistë dhe senatorë të tjerë amerikanë, ngriti zërin fuqishëm kundër shkeljes së të drejtave tona, represionit dhe persekutimit nga regjimi serbo-jugosllav”, ka thënë ajo.

“Ai kërkoi liri për popullin të Kosovës, duke shpërfaqur kështu virtytet e larta njerëzore të një politikani të rrallë dhe të një njeriu të madh. Në vitet e ’90-ta, kur shqiptarët e Kosovës po vuanin nën regjimin e Millosheviqit dhe bota ende hezitonte të vepronte, Eliot Engel ngriti zërin. Vendet e vogla shpesh duhet të trokasin gjatë në dyert e botës që të dëgjohen. Në shumë raste ato dyer mbeten të mbyllura derisa bëhet tepër vonë. Rajoni jonë njeh mirë këtë pritje. Por, kur ke miq sikurse kongresisti Eliot Engel, hapja e dyerve të tilla është e mundshme dhe është historike”, është shprehur Haxhiu.

Më pas për kontributin e Engel ka folur Kryeministri Albin Kurti, duke e vlerësuar ish-kongresmenin amerikan Eliot Engel se i dha mbështetje në çdo kohë Kosovës.

“Ai donte atë që ne e duam për vete. Në kohët më të vështira për shqiptarët Engel u bë zëri që nuk e kishim. Ai u bë kongresisti ynë, i tillë do të mbetet përgjithmonë. Interesi i sinqertë për të ardhmen e Kosovës për të cilin punoi aq shumë ishte në qendër të takimeve tona. Liria dhe pavarësia e Kosovës janë sukses i sakrificës së popullit tonë dhe aleatëve tanë perëndimorë ku një vend të veçantë zë Eliot Engel”, ka thënë Kurti.

Kontributi i ish-konkresmenit është vlerësuar lartë edhe nga përfaqesuesit e opozitës. Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Vlora Çitaku, ka thekuar ndikimin e tij në ndërgjegjen ndërkombëtare për Kosovën.

“Eliot Engel kishte bërë atë që shumë pak njerëz arrijnë ta bëjnë në politikë. Kishte lënë gjurmë në ndërgjegjen e njerëzve. Dhe atëherë kuptova që misioni im ishte shumë i lehtë. Nuk kisha detyrë vetëm të krijoja miq, por t’i nderoja miqësitë që Eliot Engel kishte krijuar për ne”, është shprehur Çitaku.

Kurse, Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka deklaruar se Engel ishte një zë i fuqishëm i lirisë së Kosovës në momentet më të vështira historike.

“Zërit të fuqishëm të lirisë sonë në momentet më të vështira të historisë së vendit tonë. Ku gjenocidi serb po sundonte vendin tonë, një dritë e një zyre rrinte gjithmonë ndezur në Uashington, në Kongresin Amerikan. Ishte drita e kongresmenit Eliot Engel. Ai nuk kishte asnjë lidhje gjaku me Kosovën, ai s’kishte lindur as në Prishtinë, as në Pejë, as në Gjakovë, por zemra e tij rrihte në sinkron me dhimbjet e nënave tona, me nxënësit që mësonin shqip në shtëpi private, me ideatorët e shtetit të pavarur të Kosovës dhe ushtarët tanë çlirimtarë”, ka deklaruar ajo.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds