320 milionë lekë investim i bashkisë për përmirësimin e dy rrugëve “Hysni Gorovelli ” dhe “Athina Dhimitri” në lagjen “18 Tetori” kanë shkuar dëm! Punimet e nisura në nëntor të vitit 2025, kanë mbetur në vend prej 25 dhjetorit të vitit të shkuar, ndonëse investimi duhet të përfundonte brenda 5 muajve dhe banorët janë të shqetësuar për këtë situatë. Kanalizime të mbetura të hapura me aromë të keqe, puseta të pambyllura që përbëjnë rrezik për jetën e kujtdo sidomos fëmijëve, si dhe avlli të shembura të mbetura hapur ku mund të hyjë kushdo nëpër banesa.
Për situatën e krijuar në këto dy rrugë ka reaguar dhe Sekretari Politik i PD Lushnjë njëherazi Kryetar i grupit të këshilltarëve të opozitës në Këshillin Bashkiak Lushnjë, Klement Çela i cili kërkon nga autoritetet vendore të mbyllet sa më shpejt ky investim që po financohet me paratë e taksapaguesve Lushnjarë..
E pyetur për këtë problem, Kryetarja e bashkisë Sefa konfirmon se ndalimi i punimeve ka ndodhur për shkak se Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizime ende nuk ka gjetur kuotat e shkarkimit të kanalizimeve të ujërave të zeza për banesat e këtyre dy rrugëve që po kryhet investimi!!!!
Nga Ujësjellës Kanalizime Lushnjë shprehen se kuotat e derdhjes së kanalizimeve duhet të ishin parashikuar në projekt dhe jo të kërkohen pasi janë bërë kanalizimet pa kuotat e duhura.
