Ngjarja e rëndë e raportuar sot në Lushnjë, ku fillimisht u dyshua për vjedhjen e eshtrave të një gruaje që kishte ndërruar jetë rreth 17 vite më parë, ka marrë një tjetër zhvillim pas veprimeve hetimore të policisë.
Sipas informacioneve paraprake pati dyshime për një veprim të mirorganizuar, madje edhe për hapjen e një tuneli nën tokë për të depërtuar në varr, që ngriti disa pista hetimi.
Ngjarja u zbulua rreth orës 10:00 nga roja e varrezave, i cili konstatoi dëmtime në pjesën e sipërme të një varri dhe njoftoi menjëherë policinë. Forcat blu mbërritën në vendngjarje dhe nisën hetimet intensive për zbardhjen e plotë të rrethanave.
Policia e Lushnjës në njoftimin zyrtar bën me dije se ka shoqëruar në komisariat shtetasin Edison Ngresi, 36 vjeç, i cili dyshohet se ka dëmtuar varrin. Sipas të dhënave, ai vuan nga probleme të shëndetit mendor dhe nuk ka qenë në gjendje të japë një shpjegim të qartë për veprimin e tij.
Nga verifikimet rezultoi se, pas hapjes së varrit, eshtrat janë gjetur brenda dhe nuk rezultojnë të jenë vjedhur, siç u dyshua fillimisht nga të afërmit e të ndjerës.
Autoritetet vijojnë hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje, e cila ka shkaktuar shqetësim në komunitet.
