E diela ka qenë një ditë e rënduar në Lushnjë me tre aksidente të ndodhura në zona të ndryshme që kanë lënë tre persona të plagosur.
Aksidenti i parë u regjistrua në autostradën Çermë–Lushnjë, në fshatin Konjat, gjatë orëve të paradites. Tre automjete u përplasën mes tyre si pasojë e një manovre të gabuar parakalimi. Një prej mjeteve, tip “Skoda”, përfundoi në barrierën anësore të rrugës, ndërsa drejtuesi mbeti i bllokuar në mjet. Për nxjerrjen e tij u desh ndërhyrja e zjarrfikësve, të cilët përdorën pajisje prerëse për ta shpëtuar.
Një tjetër aksident ndodhi në hyrjen veriore të qytetit, pranë rrethrrotullimit të shinave të trenit. Një automjet tip “Ford” përplasi një të ri rreth 25 vjeç që udhëtonte me biçikletë. I plagosuri u transportua menjëherë në spitalin e Lushnjës dhe, sipas policisë, ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Të dhënat paraprake tregojnë se 25 vjeçari i ka dalë me biçikletë përpara automjetit në momentin që ky i fundit po dilte nga rrethrrotullimi.
Aksidenti i tretë u regjistrua në qendër të Fiersheganit, ku dy mjete u përplasën kokë më kokë. Si pasojë, një person që udhëtonte në automjetin tip “Toyota” mbeti i plagosur dhe u dërgua për ndihmë mjekësore. Në vendngjarje mbërritën menjëherë ambulanca dhe policia rrugore. Sipas të dhënave paraprake, aksidenti ndodhi gjatë një manovre parakalimi nga drejtuesi i “Toyota”-s, i cili u përplas me mjetin tip “Skoda”.
Aksi nacional Lushnjë–Berat, që përshkon disa zona të banuara, mbetet një nga segmentet më problematike për aksidentet rrugore.
Fatmirësisht të tre të lënduarit ndodhen jashtë rrezikut për jetën, dëmet janë kryesisht materiale.
