Policia e Fierit ka kryer dy operacione policore sipas njoftimit zyrtar, ku ka ndaluar dy persona të dyshuar: Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Fier kanë ekzekutuar urdhrin e Prokurorisë për ndalimin e një 38-vjeçari, shtetasit A. G., banues në Fier.

Gjykata e Fierit ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprat penale “Vrasje me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve”.

Sipas hetimeve, 38-vjeçari dyshohet se, në bashkëpunim me vëllain e tij K. G., i cili ndodhet aktualisht në paraburgim, më 7 dhjetor 2023 në lagjen “16 Prilli” në Fier, pas një konflikti për motive të dobëta, kanë qëlluar me armë zjarri drejt një automjeti.

Si pasojë e të shtënave humbi jetën në vend 41-vjeçari me inicialet E. J.

Gjithashtu në një tjetër zhvillim Policia arrestoi në Patos një 28-vjeçar nga Norvegjia, pasi u kap me lëndë të dyshuar narkotike kokainë. I riu, me inicialet S. T., banonte përkohësisht në një ambient me qira në fshatin Sheqishte.

Aksioni u zhvillua nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”. Gjatë kontrollit në banesë dhe në automjetin që ai përdorte, gjithashtu i marrë me qira, u gjet dhe u sekuestrua një sasi kokaine, e dyshuar se do të shpërndahej për qëllime përfitimi financiar.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds