Një projektligj i ri në Shqipëri, që është hapur për konsultim publik, propozon ndryshime të reja për ndërtimet dhe punimet rikonstruktuese.
Bazuar në rregullin e ri që pritet të kalojë në miratim, kabllot e internetit në ajër dhe në fasadat e pallateve do të jenë elementë të ndaluar.
Projektligji i ri “Akti i Infrastrukturës Gigabit” është një propozim nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, që pritet të zëvendësojë ligjin e vitit 2016, synon të përafrojë legjislacionin shqiptar me Rregulloren e re të Bashkimit Europian (2024/1309), duke i hapur rrugë një revolucioni të vërtetë digjital dhe rrjeteve 5G.
“Akti i Infrastrukturës Gigabit” i detyron operatorët publikë dhe privatë, duke përfshirë ata të rrugëve, ujësjellësve, apo energjisë, që të ndajnë infrastrukturën e tyre fizike me kompanitë e telekomunikacionit.
Ky lloj koordinimi ku në të njëjtin kanal të kalojnë edhe tubat për fibrën optike, do të ulë ndjeshëm kostot financiare për kompanitë, duke çuar në tarifa më të lira për internetin, por do të shmangë edhe fenomenin e hapjes dhe mbylljes së të njëjtës rrugë disa herë.
Ky ligj është edhe një detyrim i panegociueshëm në kuadër të anëtarësimit në BE, më konkretisht Kapitulli 10: “Shoqëria e Informacionit dhe Media”.
