Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka njoftuar se ka ndaluar importin e deleve dhe dhive nga Shqipëria, për shkak të shpërthimit të sëmundjes së murtajës së bagëtive të imta.
Kosova ka ndaluar importin e deleve dhe dhive nga Shqipëria, pas shpërthimit të sëmundjes së rrezikshme PPR në Qarkun e Dibrës, duke ngritur alarmin për mbrojtjen e fondit blegtoral në vend.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka njoftuar ndalimin e përkohshëm të importit, pas konfirmimit të rasteve të murtajës së bagëtive të imta (PPR).
“Ndalohet importi i deleve, dhive nga Shqipëria, për shkak të shpërthimit të sëmundjes së murtajës së bagëtive të imta PPR (Peste des Petits Ruminants) në Qarkun e Dibrës”.
Sipas AUV-së, vendimi është marrë në koordinim me Ministrinë e Bujqësisë.
“Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në koordinim me Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë vendos masë ndalese të pakohshme për import të ruminantëve të vegjël, dele dhe dhi, nga gjithë territori i Shqipërisë”.
Institucionet u kanë bërë thirrje komunave kufitare që të rrisin kontrollin në terren:
“Thërrasim për vëmendje komunat e Kosovës të brezit kufitar me Shqipërinë, përmes drejtorive për Bujqësi, të vendosin masa strikte kufizuese të lëvizjes së bagëtive të imta në kullosat e brezit kufitar”.
Ndërkohë, fermerëve u kërkohet kujdes i shtuar.
“Fermerët mbajtës të deleve dhe dhive të mbajnë nën mbikëqyrje tufat e tyre, të shmangin çfarëdo kontakti me kopetë e fermerëve nga Shqipëria”.
AUV ka paralajmëruar edhe forcim të kontrolleve në kufi.
“Autoritetet kufitare do të forcojnë kontrollet në të gjitha pikat kufitare dhe zonat e brezit kufitar me Shqipërinë, me qëllim parandalimin e futjes së sëmundjes në territorin e Republikës së Kosovës”.
Në bazë të situatës aktuale, fermerëve u është rekomanduar.
“Të shmangni lëvizjet e panevojshme të kafshëve nga një zonë në tjetrën; të raportoni menjëherë tek veterineri çdo shenjë të dyshimtë (ethe, rrjedhje nga hundët, dobësi, diarre); të kufizoni kontaktin e tufave tuaja me kafshë të tjera sidomos në zonat kufitare; të respektoni udhëzimet dhe këshillat e AUV-së; mos blini kafshë nga ferma të tjera pa e ditur statusin shëndetësor të tyre; si dhe të shtoni masat e biosigurisë në fermat tuaja”.
Sipas njoftimit, PPR është një sëmundje virale shumë ngjitëse që prek delet dhe dhitë, por nuk paraqet rrezik për njerëzit.
Bazuar në situatë aktuale, fermerët është e rëndësishme të shtojnë kujdesin dhe të ndërmarrin veprimet si në vijim:
- Të shmangni lëvizjet e panevojshme të kafshëve nga një zonë në tjetrën
- Të raportoni menjëherë tek veterineri çdo shenjë të dyshimtë (ethe, rrjedhje nga hundët, dobësi, diarre)
- Të kufizoni kontaktin e tufave tuaja me kafshë tjera sidomos në zonat kufitare
- Të respektoni udhëzimet dhe këshillat e AUV-së.
- Mos blini kafshë nga ferma të tjera pa e ditur statusin shëndetësor të tyre
- Shtoni masat e biosigurisë në fermat tuaja.
PPR është një sëmundje virale shumë ngjitëse që prek kryesisht delet dhe dhitë. Ajo përhapet përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me kafshët e sëmura, ndërsa burim i infeksionit janë sekrecionet dhe jashtëqitjet. Shenjat klinike përfshijnë: temperaturë të lartë, rrjedhje nga hunda, inflamacion të syve, ulje të oreksit, diarre dhe në raste të rënda, ngordhje. Kjo sëmundje nuk është zoonotike, pra nuk transmetohet tek njerëzit dhe nuk paraqet rrezik për shëndetin publik.
