Viti 2025 në sektorin energjetik u karakterizua nga një prodhim vendas prej 7 milionë e 467 mijë MWh (7,467 GWh), më i ulët krahasuar me vitin 2024, kur prodhimi arriti në rreth 7 milionë e 836 mijë MWh.

Ndonëse në disa periudha u karakterizuam nga reshje të dendura dhe përmbytje, në raportin vjetor Enti Rregullator i Energjisë vë në dukje se ky prodhim më i ulët nga pikëpamja hidrologjike tregon se 2025 ka qenë një vit i thatë i lidhur kryesisht me varësinë nga kushtet hidrike, ndërsa struktura e prodhimit ka ndryshuar ndjeshëm.

Prodhimi i energjisë elektrike i realizuar nga KESH sh.a. zë 46.2% të të gjithë prodhimit të energjisë elektrike në vendin tonë, ndërsa prodhimi nga prodhuesit e tjerë zë rreth 53.8%. Ky zhvillim tregon rritjen e rolit të sektorit privat dhe burimeve alternative.

Vetëm prodhimi nga panelet diellore arriti në 832 GWh, ose 11% të prodhimit vendas. Paralelisht, numri i vetëprodhuesve vijon të rritet. Në vitin 2025 u shtuan 1,139 të rinj, duke e çuar totalin në 3 mijë e 551, një rritje me afro 28% krahasuar me një vit më parë.

Nga ana tjetër konsumi total i energjisë elektrike i realizuar për vitin 2025 është 8 mijë e 345 GWh ose 2.09% më i lartë se konsumi i arritur përgjatë vitit 2024. Struktura e konsumit vijon të bazohet në kategoritë e konsumatorëve familjarë, privatë, buxhetorë, jobuxhetorë, si dhe konsumi vetjak.

Për të përballuar këtë kërkesë mbi sasinë e prodhuar vitin e kaluar, sistemi vijon të varet dhe në importe, sidomos në periudhat me prodhim të ulët vendas, duke reflektuar një varësi të vazhdueshme nga tregu i jashtëm. Duke arritur në 3 mijë e 375 GWH.

Ndërkohë, humbjet në rrjet mbeten një sfidë. Në vitin 2025 ato arritën në 16.96%, me një përmirësim prej 0.97 pikë përqindje krahasuar me vitin 2024.

Të dhënat tregojnë një sektor në zhvillim, me rritje të prodhimit alternativ dhe konsumit, por që vijon të mbetet i ndjeshëm ndaj kushteve klimatike dhe varësisë nga importet.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds