Shfaqja teatrale “ Kukulla” e kroatit Miro Gavran, është ngjitur në skenën e teatrit “ Bylis” në Fier. Shfaqja një orëshe është ndjekur plot emocion nga publiku fierak, pasi trajton një temë sa aktuale, aq edhe problematike, mendësinë e meshkujve ballkanas për ta trajtuar femrën si pronë pa marrë parasysh mendimet dhe dëshirat e saj, aq sa nis të bashkëjetojë me një “ Kukull”. Autori ka sjellë në shfaqje përplasje botësh mes burrave e grave , krisje të raporteve dhe një kukull që vjen si zë i jashtëm e i ftohtë. Subjekti i shfaqjes godet aty ku dhemb më shumë , te paaftësia jonë moderne për të pranuar tjetrin me të metat e tij ndërsa vepra ngre pyetjen rrënqethëse : A po kërkojmë dashuri , apo thjesht dikë që të mos na kundërshtojë kurrë? Aktorët Leonard Hamitaj dhe Qëndresa Jashari kanë elektrizuar skenën e teatrit “ Bylis” duke rrëmbyer duartrotitjet e zjarrta të publikut fierak me interpretimin plot ndjenjë në këtë autopsi të dashurisë në kohën e plastikës.
