Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në Itali kur një 13-vjeçar, pasi u shoqërua nga prindërit për në shkollë, vendosi të mos ndiqte mësimin, por të kryente një grabitje në një zyrë postare.
Sipas raportimeve, dega e postës sapo ishte hapur kur i mituri hyri brenda dhe kërcënoi një punonjës me një armë lodër, duke kërkuar paratë në arkë. Ai arriti të marrë rreth 500 euro dhe më pas u largua në këmbë.
Megjithatë, arratisja e tij zgjati pak. Punonjësit njoftuan menjëherë policinë, e cila, falë dëshmisë së një gruaje që e pa duke u larguar, arriti ta gjurmonte dhe ta ndalonte brenda rreth 15 minutash. Paratë e vjedhura u gjetën ende në çantën e tij të shpinës, ndërsa arma lodër ishte hedhur gjatë rrugës.
Sipas hetimeve paraprake, grabitja dyshohet të ketë qenë e planifikuar, pasi i mituri kishte marrë me vete armën lodër që në mëngjes. Ai nuk dha asnjë shpjegim për veprimet e tij.
