Deputetja e Partisë Socialiste, Belinda Balluku e shoqëruar nga deputetët e Lushnjës, Elton Korreshi, Kiduina Zaka dhe Asfloral Haxhiu pasditen e djeshme para mbledhjes me Asamblenë e zgjeruar të Partisë Socialiste Lushnjë takoi qytetarët lushnjarë tek terreni sportiv i shkollës “Skënder Libohova”. Ajo dëgjoi nga afër shqetësimet, hallet dhe problematikat që ata kanë.
Më pas ajo mori pjesë në asamble që u mbajt tek palestra e shkollës “Foto Puka”, ku ishte i pranishëm edhe Ministri i Financave, Petrit Malaj. Asambleja u drejtua nga Balluku në cilësinë e Drejtueses Politike të qarkut Fier që iu ribesua nga Kryeministri Edi Rama pas marrjes së 12 mandateve për PS në zgjedhjet e 11 majit 2025.
Gjatë fjalës së saj, Balluku theksoi se ky takim shënon nisjen e një procesi të ri riorganizimi në të gjitha strukturat e partisë, një proces që do të shtrihet në çdo nivel, me fokus forcimin dhe rienergjizimin e tyre.
Ajo u ndal edhe te rëndësia e afrimit me qytetarët, duke theksuar se strukturat duhet të jenë çdo ditë më pranë njerëzve, për të dëgjuar dhe kuptuar më mirë shqetësimet e tyre, si dhe për të ndërtuar së bashku rrugën përpara.
Sipas saj, riorganizimi synon jo vetëm forcimin e strukturave të partisë, por edhe rritjen e bashkëpunimit me komunitetin, në funksion të përmirësimit të përfaqësimit dhe angazhimit qytetar.
