Rritja e çmimit të arit në tregjet ndërkombëtare po rikthen këtë metal në qendër të vëmendjes së investitorëve dhe bankave qendrore, në një klimë pasigurie ekonomike dhe gjeopolitike. Në Shqipëri, megjithatë, investimi në ar mbetet i kufizuar dhe i paformalizuar, ndërsa roli i tij lidhet më shumë me arin fizik, traditën familjare dhe tregun e bizhuterive. Ndërkohë që Banka e Shqipërisë po rrit gradualisht rezervat në ar, tregu vendas karakterizohet nga informaliteti, transparenca e ulët në çmime dhe një kërkesë që shpesh ndërthuret mes kursimit, konsumit dhe simbolikës kulturore.

Ari është rikthyer fuqishëm në qendër të vëmendjes së tregjeve financiare globale, në një moment kur pasiguritë ekonomike dhe gjeopolitike po ndryshojnë sjelljen e investitorëve.

Çmimi i metalit të çmuar në bursat ndërkombëtare ka lëvizur në nivele historike, duke arritur rekordin prej 5200 dollarë për troy onz në janar dhe aktualisht luhatet në rreth 4500-4600 dollarë për troy, duke reflektuar jo vetëm frikën nga inflacioni apo nga tensionet ndërkombëtare, por edhe një zhvendosje më të gjerë të kapitaleve drejt aseteve që perceptohen si strehë sigurie. Në bursat ndërkombëtare, ari ka reaguar sa herë që tregjet e aksioneve kanë shfaqur nervozizëm, ndërsa kërkesa nga bankat qendrore ka mbetur e lartë, duke sinjalizuar një strategji afatgjatë diversifikimi përtej valutave tradicionale.

Ky kontekst global e bën të pashmangshme pyetjen se sa dhe si reflektohen këto zhvillime në tregje më të vogla dhe më pak të thelluara financiarisht, si Shqipëria.

Nëse disa vite më parë, ari shihej kryesisht si bizhuteri apo si formë tradicionale ruajtjeje e pasurisë familjare, sot ai po rishfaqet në diskursin publik edhe si instrument investimi, qoftë përmes blerjes fizike, qoftë përmes produkteve financiare të lidhura me çmimin e tij. Megjithatë, ndryshe nga ekonomitë e zhvilluara, ku investimi në ar është i strukturuar dhe i ndërmjetësuar nga tregje të rregulluara, në Shqipëri, interesi mbetet i fragmentuar dhe shpesh i paformalizuar.

Në nivel global, rritja e çmimit të arit nuk është një fenomen i izoluar. Ai lidhet ngushtë me pritshmëritë për ulje të normave të interesit në ekonomitë e mëdha, me dobësimin periodik të dollarit amerikan dhe me rritjen e pasigurive gjeopolitike, nga konfliktet e hapura te tensionet tregtare.

Për investitorët institucionalë, ari funksionon si një instrument mbrojtës në portofol, jo domosdoshmërisht për të gjeneruar kthime të shpejta, por për të amortizuar goditjet në periudha turbulence. Kjo filozofi po reflektohet edhe në sjelljen e bankave qendrore, të cilat vitet e fundit kanë shtuar rezervat në ar, duke e konsideruar atë një element stabilizues në një botë gjithnjë e më të paqëndrueshme financiarisht.

Në Shqipëri, ndërkohë, interesi për arin nuk ka marrë ende përmasat e një zhvendosjeje masive të kursimeve. Depozitat bankare mbeten forma kryesore e ruajtjes së parave për familjet, ndërsa investimet alternative, përfshirë arin, mbeten një zgjedhje e kufizuar për një segment të vogël individësh. Megjithatë, sinjalet e fundit tregojnë një rritje të vëmendjes, veçanërisht në periudha kur inflacioni perceptohet si kërcënim për fuqinë blerëse dhe kur normat reale të interesit mbeten të ulëta.

Në këtë kontekst, ari shihet jo aq si mjet fitimi, por si një mënyrë për të ruajtur vlerën e kursimeve në kohë.

Një element dallues i tregut shqiptar është roli i arit fizik. Blerja e arit në formë bizhuterish apo monedhash mbetet forma më e zakonshme e ekspozimit ndaj këtij aktivi, shpesh e lidhur me traditën, sigurinë psikologjike dhe mungesën e besimit tek instrumentet financiare më komplekse, pak edhe me kulturën, duke qenë se konsiderohet dhuratë për ngjarje familjare.

Kjo e dallon Shqipërinë nga tregjet ku mbizotëron investimi në ar përmes fondeve të tregtueshme në bursë apo produkteve të strukturuara financiare. Në të njëjtën kohë, kjo sjell edhe rreziqe, nga mungesa e transparencës tek informaliteti dhe vështirësia për të vlerësuar saktë çmimin dhe cilësinë.

Marian Gjermeni, Drejtor i Departamentit të Operacioneve Monetaren pranë BSh-së, thotë për “Monitor” se, qasja e ndjekur nga Banka e Shqipërisë vitet e fundit ka rezultuar e ngjashme me atë të bankave të tjera qendrore, të cilat kanë rritur peshën e arit në rezervat e tyre.

“Ky fenomen ka rezultuar më i theksuar për bankat qendrore të vendeve me ekonomi në zhvillim krahasuar me ato të vendeve me ekonomi të zhvilluara. Rezervat e arit të Bankës së Shqipërisë vijojnë të jenë të krahasueshme me bankat qendrore të ngjashme. Gjatë vitit të fundit, Banka e Shqipërisë ka rritur sasinë e arit në rezervat e saj. Kjo qasje do të vijojë të ndiqet në vitet e ardhshme”, – thotë z. Gjermeni.

Tregu dytësor i arit është i lidhur ngushtë me sektorin e bizhuterive, me blerjen dhe rishitjen e arit të përdorur, me monedha dhe objekte që qarkullojnë jashtë kanaleve formale financiare. Ky është një treg që nuk matet lehtë, por që ekziston dhe aktivizohet veçanërisht në periudha pasigurie ekonomike.

Bizhuteritë prej ari vijojnë të shihen nga shumë familje jo vetëm si element estetik apo simbol social, por edhe si formë kursimi. Në mungesë të instrumenteve të thjeshta investuese dhe në kushte ku besimi te produktet financiare mbetet i kufizuar, ari fizik perceptohet si një aset i prekshëm, i kuptueshëm dhe i shpejtë për t’u kthyer në para në rast nevoje.

Në këtë segment, çmimi i arit ndërkombëtar shërben si pikë reference, por nuk reflektohet gjithmonë në mënyrë lineare. Diferencat në cilësi, në karatë, në kosto pune dhe në marzhet e ndërmjetësimit krijojnë një çmim real që shpesh është më pak transparent për konsumatorin.

Tregu dytësor i arit në Shqipëri karakterizohet edhe nga një nivel i lartë informaliteti. Transaksionet realizohen shpesh jashtë faturimit, pa dokumentacion të plotë dhe pa gjurmë të qarta fiskale, duke e bërë të vështirë monitorimin e volumit real të qarkullimit. Kjo situatë jo vetëm që kufizon mbrojtjen e konsumatorit, por krijon edhe hapësira për abuzime, nga përzierja e metaleve deri te nënvlerësimi i qëllimshëm i çmimit në momentin e blerjes.

Sipas Albina Spahiut, argjendare në Grand Gold Jewellery, lidhja e familjeve shqiptare me arin mbetet ende shumë e fortë dhe shpesh lidhet me idenë e një kursimi të sigurt. “Shumë klientë e shohin bizhuterinë jo vetëm si stoli, por si një mënyrë për të ruajtur vlerë. Kur çmimi i arit rritet në tregjet ndërkombëtare, kjo reflektohet menjëherë edhe në interesin për të shitur ose për të blerë ar të përdorur”, shpjegon ajo.

Sipas saj, një pjesë e konsiderueshme e qarkullimit ndodh pikërisht në këtë treg dytësor, ku individët sjellin bizhuteri të vjetra për t’i shitur ose për t’i kthyer në modele të reja. “Ka periudha kur njerëzit vijnë për të shitur ar, zakonisht kur kanë nevojë për likuiditet të menjëhershëm. Në raste të tjera, klientët sjellin ar të vjetër familjar dhe e përdorin si bazë për të realizuar një bizhuteri të re”, thotë znj. Spahiu.

Ajo shton se kërkesa për bizhuteri ari mbetet veçanërisht e fortë në raste festash familjare, ku tradita vazhdon të luajë një rol të rëndësishëm. “Në dasma, në lindjen e një fëmije, në përvjetorë apo në festa të tjera familjare, dhuratat në ar janë ende shumë të parapëlqyera. Është një traditë që vazhdon dhe shpesh shihet si një mënyrë për të dhënë një dhuratë me vlerë të qëndrueshme”, shprehet ajo.

Sipas znj. Spahiu, vitet e fundit është rritur edhe interesi për bizhuteri më cilësore, me karatë më të lartë dhe me gurë të çmuar. “Klientët po kërkojnë gjithnjë e më shumë ar me karatë më të lartë, ndërsa diamanti mbetet një nga gurët më të kërkuar, sidomos për unaza fejese apo dhurata në momente të rëndësishme familjare”, thotë ajo.

Importet e arit dhe bizhuterive, një treg i paqëndrueshëm në volum, por gjithnjë e më i shtrenjtë

Në vitet e fundit, ari është kthyer sërish në një aset strehë për investitorët në një klimë të mbushur me pasiguri ekonomike dhe gjeopolitike, duke shtyrë çmimin e tij në nivele historikisht të larta. Sipas Trade Economic, në 12 muajt e fundit, çmimi i arit është rritur rreth 70–74% në tregjet ndërkombëtare. Ky zhvillim global po reflektohet drejtpërdrejt edhe në strukturën e importeve shqiptare.

Tregu shqiptar i arit, i bizhuterive dhe i produkteve të ngjashme nuk po rritet domosdoshmërisht në sasi, por po bëhet gjithnjë e më i shtrenjtë. Të dhënat e INSTAT për importet e perlave natyrale, gurëve të çmuar, bizhuterive dhe monedhave tregojnë një dinamikë të fortë luhatëse në volum, por një rritje pothuajse të pandërprerë në vlerë, duke reflektuar ndikimin e çmimeve ndërkombëtare dhe ndryshimin e kërkesës.

Në periudhën 2015–2017, importet shfaqin një interval relativisht të qëndrueshëm në peshë, rreth 57–80 tonë, ndërsa vlera rritet gradualisht nga rreth 1.1 miliardë lekë në mbi 1.3 miliardë lekë. Në këtë fazë, tregu global i arit ishte relativisht stabil dhe luhatjet e çmimeve ishin të moderuara. Viti 2018 shënon një kthesë të dukshme, me pothuajse dyfishim të volumit të importuar krahasuar me vitin pararendës dhe një rritje të fortë të vlerës.

Tendenca vazhdon edhe në 2019, me volum të lartë dhe vlerë të qëndrueshme mbi 1.6 miliardë lekë, duke reflektuar një kërkesë më të madhe për bizhuteri dhe produkte të lidhura me arin në tregun vendas. Reflektimi i efekteve të pandemisë në 2020 shihet qartë. Pesha neto e importeve bie ndjeshëm, në vetëm rreth 38 tonë, niveli më i ulët i dekadës.

Megjithatë, vlera e importeve jo vetëm që nuk bie, por rritet, duke iu afruar 2 miliardë lekëve. Kjo tregon se, edhe pse tregtia fizike u tkurr, çmimi i arit në tregjet ndërkombëtare u rrit ndjeshëm, duke e bërë çdo kilogram të importuar më të shtrenjtë. Në vitin 2021 importet arrijnë nivelin më të lartë të dekadës në peshë, mbi 213 tonë, ndërkohë që vlera pothuajse dyfishohet krahasuar me vitin pararendës, duke kaluar 3.6 miliardë lekë.

Kjo periudhë përkon me një moment kur kërkesa globale për ar u rrit, ndërsa investitorët kërkonin mbrojtje nga inflacioni dhe pasiguritë në tregjet financiare. Pas këtij kulmi, viti 2022 shënon një tjetër rënie të fortë në volum, ndërsa vlera mbetet e lartë dhe vazhdon rritjen.

Kjo shkëputje mes peshës dhe vlerës bëhet edhe më e qartë në vitet 2023 dhe 2024, duke treguar se tregu po ndikohet më shumë nga çmimet ndërkombëtare sesa nga dinamika e kërkesës fizike në vend.

Në fakt, gjatë kësaj periudhe çmimi global i arit është rritur ndjeshëm, i shtyrë nga inflacioni i lartë, tensionet gjeopolitike dhe blerjet rekord nga bankat qendrore në mbarë botën. Kjo ka bërë që edhe tregje relativisht të vogla si ai shqiptar të reflektojnë të njëjtën prirje, më pak sasi fizike, por me vlerë gjithnjë e më të lartë.

Të dhënat paraprake për vitin 2025 tregojnë një stabilizim të volumit krahasuar me 2024, por me një rënie të lehtë në vlerë, e cila mund të lidhet me luhatjet e fundit të çmimeve globale dhe me një normalizim gradual të tregut pas rritjes së fortë të muajve të fundit. Megjithatë, sipas argjendarëve në tregun vendas, çmimet e bizhuterive prej ari kanë vijuar të rriten, duke reflektuar drejtpërdrejt shtrenjtimin e arit në bursat ndërkombëtare dhe kostot më të larta të furnizimit.

Ata tregojnë se, edhe kur sasia e shitjeve nuk rritet ndjeshëm, çmimi për gram është rritur krahasuar me vitet e mëparshme, duke e bërë çdo produkt më të kushtueshëm për konsumatorin. Aktualisht, çmimi për gram i floririt 14 karat ka arritur në 10 mijë lekë, me një rritje prej 54% krahasuar me dhjetorin.

A ka etje për arin?

Në tregun shqiptar, ndërsa ndikimet e luhatjeve globale janë të dukshme, përdorimi i arit si instrument investimi është ende modest krahasuar me vendet e zhvilluara. Bankat e nivelit të dytë kanë ofruar mundësi investimi në ar, por vëllimet mbeten të vogla dhe aktiviteti nuk ka marrë hov të madh. Ekspertë vendas vlerësojnë se faktorë të tillë si informimi i kufizuar, luhatshmëria dhe kostot operative ndikojnë në këtë sjellje.

Shuma e arit e mbajtur në portofolin e bankave shqiptare është e ulët dhe përdorimi i tij për qëllime investimi nuk ka arritur nivele të larta, duke sugjeruar që njohja dhe interesimi i publikut mbetet relativisht i kufizuar, megjithëse tendencat globale janë në rritje./Monitor.al

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds