Tragjik ishte fati i 4 punëtorëve të ndërtimit në Vjenë, mes tyre 3 shqiptarë nga Kosova, të cilët humbën jetën teksa punonin. Ngjarja ndodhi në lagjen Alsergrund të Vjenës. Tre shqiptarë nga Kosova dhe një boshnjak humbën jetën gjatë një aksidenti në një kantier ndërtimi, posi u shemb një skelë, duke i zënë ata nën rrënoja dhe betoni ende të pangurtësuar. Sipas mediave austriake, ndërhyrja e shërbimeve të emergjencës ishte jashtëzakonisht e vështirë dhe ndihma erdhi shumë vonë për t’i shpëtuar.
Një tjetër punëtor, i raportuar si shtetas i Maqedonisë së Veriut, mbeti i plagosur rëndë dhe u transportua menjëherë në spital. Dëshmitarë nga zona përshkruan momentet dramatike pas shembjes. “Ishte një zhurmë shumë e fortë, pastaj dëgjova britmat e punëtorëve. Më pas nisën sirenat,” tregoi një banor për mediat lokale.
Zjarrfikësit bënë të ditur se operacioni i shpëtimit ishte tejet kompleks për shkak të hapësirës së ngushtë të kantierit, që e vështirësoi ndjeshëm qasjen. Niveli i alarmit u rrit shpejt dhe në vendngjarje u angazhuan rreth 120 efektivë me afro 30 mjete zjarrfikëse dhe të mbrojtjes civile. Për të arritur tek të bllokuarit, ekipet u detyruan të hapnin hyrje të reja duke hequr gardhe dhe struktura të tjera, ndërsa largimi i betonit ende të lëngshëm u krye me dorë, një proces i ngadalshëm dhe i rrezikshëm. Fillimisht u nxorën dy punëtorë, por pa shenja jete. Pas rreth dy orë e gjysmë ndërhyrjeje intensive, edhe dy viktimat e tjera u nxorën të pajeta.
Ambasada e Kosovës në Austri konfirmoi se tre prej viktimave janë Pajtim Barjami, Asllan Musli dhe Istref Zekaj. Në reagimin zyrtar, ambasada shprehu ngushëllime për familjet dhe bëri të ditur se është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet austriake për ndjekjen e çështjes dhe mbështetjen e të afërmve të viktimave.

