Këtë javë, për të katërtën herë brenda një harku kohor prej tre muajsh, zonat e serave në Goriçan të Beratit janë përmbytur.

Që nga nëntori i vitit 2025, cikli i prodhimit në këtë zonë, e njohur si hambari i eksporteve shqiptare është ndërprerë dhunshëm nga reshjet.

Gentian Ziu një fermer në zonë tha se, këtë herë u dëmtuan tërësisht serat e fidanishteve dhe të tjera që u rikuperuan dhe tani situata është më shumë se katastrofë.

Eksportet e zarzavateve në janar 2026 sipas të dhënave zyrtare të INSTAT u përgjysmuan nga efektet shkatërruese të përmbytjeve të janarit.

Fermerët në zonë pohojnë se investimi fillestar për mbjelljen e një hektari me kultura të hershme, si domatja apo trangulli, fillon me koston e fidanëve që shkon mesatarisht deri në 15,000 euro. Bashkë me plehrat kimike, sistemet e ujitjes dhe krahun e punës, kostoja e çon faturën në rreth 25,000 euro për hektar.

Kur uji hyri në sera për të katërtën herë radhazi këtë shkurt investimet u asgjësuan krejtësisht. Lagështia e tepërt dhe asfiksia e rrënjëve e bëjnë të pamundur ri-mbjelljen e menjëhershme pa një proces të kushtueshëm tharjeje dhe dezinfektimi të dherave. Për më tepër, dëmi afatgjatë shtrihet te edhe degradimi i strukturave.

Ndryshe nga përmbytjet e viteve të kaluara, frekuenca e goditjeve të njëpasnjëshme këtë sezon ka asgjësuar çdo mundësi rikuperimi. Ky fenomen po krijon një efekt domino nga çmimet e në tregjet e pakicës që janë shumë të lartë për prodhimet e stinës deri tek rënia e eksporteve

Nga ana tjetër situata nuk po zbutet aspak pasi mungon një mekanizëm dëmshpërblimi apo një protokolli të qartë paralajmërimi.

Më herët në janar të këtij viti uji në fusha dhe në serra dëmtoi prodhimin në fazë vjelje dhe  fidanët e sezonit të hershëm në zonat me bujqësi intensive në qarqet e Beratit, Lushnjës, Fierit.

Ngricat ne ditën e parë të vitit, përmbytjet dhe sërish ngricat e dhe këto ditë serish përmbytje i kanë dhënë goditje finale prodhimit më bujqësi intensive.

Humbjet nga përmbytjet dhe ngricat janë më të mëdha se kapaciteti financiar i një familjeje bujqësore. Fermerët shqiptare as marrin subvencione dhe as nuk janë të siguruar kështu që janë ekspozuar totalisht ndaj humbjeve.

Në vendet e BE-së, një pjesë e primit të sigurimit mbulohet nga shteti, duke e bërë sigurimin të përballueshëm. Në Shqipëri, kjo mungesë e mbështetjes e lë fermerin të vetëm përballë klimës

Reagim i Devoll Hydropower

“Monitor” dërgoi një kërkesë zyrtare pranë Devoll Hydropower lidhur me pretendimet e fermerëve mbi përmbytjet e fundit.

“Lidhur me kërkesën e paraqitur, gjeni më poshtë informacion nga Devoll Hydropower Sh.A. lidhur me menaxhimin e situatave hidrometeorologjike të krijuara në pellgun ujëmbledhës të lumit Devoll, pjesë e basenit të lumit Seman.

Devoll Hydropower Sh.A.:Që nga nëntori 2025, baseni i lumit Seman është përballur me reshje të dendura dhe prurje të larta të ujit, mbi mesataret historike. Pellgu ujëmbledhës i kaskadës së Devollit në hidrocentralet e Banjës dhe Moglicës përbën rreth 50% të sipërfaqes së pellgut ujëmbledhës të Semanit.

Rezervuarët e hidrocentraleve të Moglicës dhe Banjës kanë mbajtur vëllime shumë të mëdha uji dhe janë kryer shkarkime të kontrolluara sipas rregulloreve të digave, duke kontribuar në reduktimin e rrezikut të përmbytjeve dhe jo në shtimin e tij.

Shkarkimet nga Banja përbëjnë vetëm një pjesë të prurjes totale të lumit Seman dhe janë ndjeshëm më të ulëta se prurjet hyrëse në kaskadën e Devollit; ndaj pretendimet se përmbytjet janë shkaktuar nga hidrocentrali i Banjës nuk qëndrojnë.

Gjatë shkurtit 2026, prurjet maksimale orare në rezervuare kanë arritur mbi 450 m³/s, ndërsa shkarkimet maksimale të kontrolluara nga hidrocentrali i Banjës kanë qenë rreth 200 m³/s — një nivel normal operimi në kushte me prurje të larta. Aktualisht, shkarkimet janë rreth 150 m³/s dhe të gjitha strukturat vijojnë të operojnë brenda parametrave të plotë të sigurisë.

Devoll Hydropower shkëmben rregullisht informacion me autoritetet që në fazat e para të procesit të shkarkimeve, duke informuar gjithashtu publikun si në faqen e internetit, ashtu edhe në kanalin në mediat sociale. Shkarkimet e kontrolluara janë praktika të rregullta dhe standarde në varësi të kushteve hidrometeorologjike, dhe monitorimi i rezervuarëve kryhet në kohë reale.

Në përputhje me udhëzimet ndërkombëtare të ICOLD, rezervuarët e hidrocentraleve janë mjete të rëndësishme në reduktimin e kulmeve të prurjeve (plotave) në zonat e poshtme të lumit” thuhet në reagimin e kompanisë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds