Moti i paqendrueshëm me shira dhe kthjellime në të gjithë territorin e vendit po na shoqëron këto ditë. Sipas sinoptikanëve gjatë ditëve në vijim do vazhdojnë reshjet e herëpashershme të shiut me intensitet kryesisht të ulët në pjesën më të madhe të vendit, ndërsa në relievet malore priten shtrëngata të shkurtra.
Fermerët në Lushnjë shprehen jashtë kamerave të shqetësuar, pasi tremben nga reshjet e shumta të cilat përmbytin fushat e hapura dhe serat siç ndodhi në janar, duke dëmtuar përfundimisht të mbjelljat e stinës siç ndodhi me luleshtrydhet. Shumë fermerë e pranojnë që po përballen me punë të dyfishtë dhe kosto të lartë për zëvendësimin e tyre. Sipas tyre moti i paqendrueshëm me shirat e dendura, temperatura të ftohta do të pengojë rritjen e fidanëve të rimbjellë e për rrjedhojë prodhimet bujqësore vendase do të dalin vonë në treg.
Megjithatë sipas parashikimeve të IGJEUM reshjet do të vazhdojnë, por nuk pritet të kenë intensitet të lartë dhe nuk parashikohen problematika sa i përket përmbytjeve.
Prandaj mbani çadrat me vete edhe pse moti sot parashikohet me kthjellime të herëpashershme.
