Duke filluar nga viti 2026 zgjerohet fasha e grupmoshës së grave përfituese nga Programi Kombëtar i Depistimit të Kancerit të Qafës së Mitrës, një nismë që synon rritjen e ndërgjegjësimit për kontrolle dhe uljen e rrezikut ndaj kësaj sëmundjeje.
Kështu, siç bën me dije Ministrja e Shëndetësisë dhe e Mirëqenies Sociale Evis Sala përmes një videomesazhi të publikuar në rrjetet sociale, nga 40-50 vjeç që ishte, kjo fashë është zgjeruar në 35-55 vjeç.
“Sot bëjmë një hap të rëndësishëm për shëndetin e grave dhe për të ardhmen e shëndetit publik në Shqipëri. Bazuar në të dhënat shkencore, situatën epidemiologjike në vend, rekomandimet e Bashkimit Evropian dhe në Strategjinë Globale të OBSH-së për eliminimin e kancerit të qafës së mitrës vendosim të zgjerojmë fashën e grupmoshës për depistimin e kancerit të qafës së mitrës me testin HPV, nga 40–50 vjeç në 35–55 vjeç, në kuadër të Programit Kombëtar të Depistimit të Kancerit të Qafës së Mitrës.
Në Shqipëri, mosha mesatare e diagnostikimit të kancerit të qafës së mitrës është 53 vjeç, çka tregon qartë se depistimi duhet të fillojë më herët dhe të mbulojë një periudhë më të gjerë rreziku.”, u shpreh Ministrja Sala.
Sopas saj, për ta bërë këtë program sa më të aksesueshëm dhe efektiv, çdo vit gratë e kësaj grupmoshe do të marrin mesazhe njoftimi/ kujtese në telefonin celular, përmes SMS-ve informuese, që do t’i ftojnë ato të drejtohen pranë qendrës shëndetësore ku janë të regjistruara, për kryerjen e testit HPV dhe marrjen e informacionit të duhur nga personeli shëndetësor.
“Ky është depistim i organizuar, i planifikuar dhe i barabartë për të gjitha gratë e grupmoshave specifike dhe është një shërbim publik i siguruar e garantuar falas nga MSHMS. Ky vendim është një investim për shëndetin e grave, për familje më të shëndetshme dhe për një shoqëri më të fortë.”, shton ministrja.
Sipas saj, parandalimi është forma më e mirë e kujdesit shëndetësor.
