Një aksident me vdekje ka ndodhur në fshatin Kurtinë të njësisë administrative Hysgjokaj. 60 vjeçari Bujar Dingozi ka qenë duke udhëtuar me motoçikletë dhe pasi është rrëzuar ka humbur jetën. Sipas policisë së qarkullimit rrugor i moshuari dyshohet se ka humbur kontrollin mbi motoçikletën si pasojë e lagështisë në rrugë, por dyshohet se mund të ketë pësuar arrest kardiak. Trupi i të ndjerit është përcjellë me ambulancë drejt morgut të spitalit të Lushnjës për ekspertizë mjeko ligjore për të përcaktuar shkakun e vdekjes.
Gjithashtu një tjetër aksident me dy të plagosur ndodhi pasditen e djeshme në hyrjen jugore të Lushnjës. Në aksident u përfshinë një mjet tip Benz dhe një motomjet transporti katraul si pasojë e mosrespektimit të rregullave të qarkullimit rrugor. Policia shkoi në vendngjarje për dokumentimin e ngjarjes dhe disiplinimin e trafikut, ndërsa ambulancat transportuan në spital dy drejtuesit e mjeteve të cilët janë nën kontrollin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Sipas policisë së qarkullimit rrugor, motomjeti i ka zënë rrugën mjetit tip Benz dhe përplasja ka qenë e pashmangshme.
Ky aksident ashtu si edhe shumë të tjerë që kanë ndodhur në këtë aks rrugor ndodhin si pasojë e mosrespektimit të rregullave të qarkullimit.
