Situata në Urën e Mifolit paraqitet kritike duke arritur ne nivelin e 7.2 metrave. Sipas Përgjegjësit të Sektorit të Emergjencave Civile pranë Prefekrurës Fier, Kreshnik Ymeraj, janë marrë të gjitha masat për rritjen e gatishmërisë së strukturave operacionale, njoftimin e komunitetit, bizneseve dhe blegtorëve që operojnë përgjatë rrjedhës së lumit Vjosë. Pikat më kritike mbeten fshatrat Çerven, Kashisht dhe Ferras ndërkohë që niveli i prurjeve do të varet nga intensiteti i reshjeve në qarkun e Gjirokastrës dhe Vlorës.
Ndërkohë lumi Vjosë ka arritur pikën kritike e ka dalë nga shtrati në tokat e kultivuara të fermerëve të fshatit Çerven të njësisë administrative Frakull. Të gjitha tokat e kultivuara me elb, jonxhë, tërfil, ullishte janë nën pushtetin e ujit, duke alarmuar fermerët të cilët janë në pritje të prurjeve edhe më të mëdha, pasi nuk janë dëmshpërblyer asnjëherë për shkak të fatkeqësive natyrore, e fundit ishte përmbytja e nëntorit.
Po kalbemi e po falimentojmë thonë ata ndërsa theksojnë se shteti nuk ka ekzistuar asnjëherë për ta, pasi i ka lënë në mëshirë të fatit.
