Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Andis Salla në rrjetet sociale njoftoi se mbështetja financiare për fermerët shqiptarë do të rritet ndjeshëm në fund të këtij viti, pas miratimit të aktit normativ, i cili shton fondet për Skemën Kombëtare me 2 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 20,8% krahasuar me një vit më parë.

Sipas ministrit, fondi i shtuar synon uljen e kostove të prodhimit dhe garantimin e vijimësisë së prodhimeve bujqësore dhe blegtorale “Made in Albania” duke e konsideruar Skemën Kombëtare si një instrument kyç për forcimin e prodhimit vendas dhe ekonomisë rurale.

“Me aktin normativ të fundvitit, mbështetja për fermerët përmes Skemës Kombëtare 2025 arrin në 6.4 miliardë lekë, një rritje prej 20,8% krahasuar me një vit më parë, drejtpërdrejt në shërbim të fermerëve, për të ulur kostot dhe për të siguruar vijimësinë e prodhimeve Made in Albania.”, theksoi Ministri Salla.

Ai shkruan në postim se deri më tani kanë përfituar rreth 65 mijë fermerë, nga të cilët 49 800 janë mbështetur me naftë në masën 100% dhe akti normativ garanton pagesën e plotë për çdo fermer të kualifikuar brenda vitit buxhetor, duke siguruar korrektësi dhe transparencë në zbatimin e skemës.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *