67 gazetarë janë vrarë në 12 muajt e fundit, sipas raportit të Reporterëve pa Kufij, duke e bërë vitin 2025 një vit vdekjeprurës për profesionistët e medias. Organizata paralajmëron se shumica e viktimave janë vrarë në zona lufte dhe nga rrjetet kriminale. Në raport përfshihen edhe rastet e zhdukjeve, arrestimeve dhe sulmeve fizike ndaj gazetarëve në mbarë botën.

67 gazetarë janë vrarë brenda 12 muajve të fundit si rezultat i punës së tyre, thuhet në raportin më të ri të Reporterëve pa Kufij.

Organizata e përshkruan vitin 2025 si një nga vitet më vdekjeprurëse për profesionistët e medias, duke theksuar se numri i viktimave është rritur për shkak të veprimeve kriminale të grupeve ushtarake, paramilitare dhe rrjeteve të krimit të organizuar.

Sipas raportit, 53 nga 67 gazetarët e vrarë janë viktima të konflikteve të armatosura ose të krimit të organizuar. Gaza mbetet zona më e rrezikshme, ku forcat izraelite kanë vrarë pothuajse 43 për qind të reporterëve të vrarë gjatë vitit të fundit.

Sulme ndaj gazetarëve janë regjistruar edhe në Ukrainë, ku ushtria ruse ka vazhduar shënjestrimin e profesionistëve të medias, përfshirë edhe gazetarë të huaj.

Ndërkohë, Sudani është shndërruar në një tjetër zonë vdekjeprurëse, ndërsa në Meksikë numri i gazetarëve të vrarë është rritur për shkak të karteleve të drogës, duke e bërë atë vendin e dytë më të rrezikshëm në botë.

Raporti thekson se aktualisht 503 gazetarë janë të arrestuar në mbarë botën. Lista kryesohet nga Kina me 121 të arrestuar, e ndjekur nga Rusia me 48, përfshirë 26 ukrainas.

Një tjetër shqetësim i madh mbetet zhdukja e 135 gazetarëve në 37 shtete, përfshirë edhe pesë nga Kosova që datojnë nga periudha e luftës 1998–99.

Nga ana tjetër, 20 gazetarë po mbahen peng, kryesisht në Jemen, Siri dhe Mali shtete ku rriskohen më së shumti rrëmbimet nga grupet militante.

Në këtë raport pasqyrohen edhe sulmet fizike ndaj gazetarëve, ku Serbia është përmendur veçanërisht. Që nga fillimi i protestave kundër korrupsionit pas shembjes së strehës së një stacioni treni në Novi Sad, janë regjistruar të paktën 98 sulme ndaj gazetarëve, kryesisht nga policia.

Presidenti Aleksandar Vuçiç është përfshirë në listën e kërcënuesve të lirisë së shtypit. Ndërkohë, në indeksin global të publikuar më 2 maj, Kosova shënoi rënien më të madhe ndër vite, duke u renditur në vendin e 99-të nga 180 shtete, më keq se çdo vend tjetër në Ballkanin Perëndimor dhe Bashkimin Evropian.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *