Ende asnjë i shoqëruar për ngjarjen në Lezhë, ku një 35-vjeçar u dhunua barbarisht nga disa persona. Pasi i dolën para mjetit, e dhunuan të riun Petrit Pepkola me shkop bejsbolli, duke i shkaktuar atij dëmtime të mëdha.
I riu ka marrë plagë të mëdha në trup, sidomos në këmbë, ku njëra prej tyre ishte thyer. Pasi u dërgua në spitalin e Lezhës, ku mori ndihmën e parë mjekësore, 35-vjeçari u transportua drejt spitalit të Traumës, për ndihmë më të specializuar.
“Nuk kam njohur personat që më dhunuan, pasi ishin të maskuar”, mësohet të jetë shprehur i riu para oficerëve të policisë. Sakaq, policia ka kryer kontrolle në disa banesa, ndërsa ende nuk dihet nëse është rënë në gjurmët e autorëve. I riu aktualisht është në spitalin e Traumës.
