Aksidente të shumta ndodhin në rrugët e Lushnjës kryesisht nga pakujdesia e drejtuesve të mjeteve, por dhe nga mungesa e sinjalistikës, thonë burime nga policia. Aksidentet lenë pas të plagosur dhe viktima të pafajshme. Më e frikshme kjo panoramë është kur këto aksidente ndodhin pranë institucioneve arsimore, ku qytetarët çojnë çdo ditë fëmijët, duke rrezikuar jetët e tyre.

Disa aksidente kanë ndodhur në rrugën e Tiranës, lagjja “18 Tetori”, më i fundit dy ditë më parë, para shkollës jopublike “Nënshkruesi i Pavarësisë Nebi Sefa”, në kohën kur fëmijët po bëheshin gati për të dalin nga shkolla.

Fatmirësisht nuk pati të lënduar rëndë nga drejtuesit dhe pasagjerët në automjete, por as nga fëmijët të cilët u shoqëruan të sigurtë në shtëpitë e tyre.

Mungesa e sinjalistikës në këtë zonë me qarkullim të dendur, ku qindra fëmijë çdo ditë kalojnë rrugën për të shkuar në shkollë është një nga shkaqet kryesore të aksidenteve.

Ndërkohë prioritet i qeverisë dhe pushtetit vendor këtë vit ishte marrja e masave konkrete për të rritur sigurinë rrugore në zonat përreth shkollave në të gjithë vendin, si ndërhyrjet infrastrukturore që garantojnë sigurinë e nxënësve gjatë rrugës për në shkollë dhe kthimit prej saj.

Këto masa synojnë të parandalojnë aksidentet dhe të krijojnë një mjedis më të sigurt për fëmijët.

Përveç femijëve rrezikohen edhe banorët e zonës apo edhe qytetarët që bëjnë ecje ose dalin për shëtitje.

Banorët e zonës shprehen se situata është bërë e rrezikshme për kalimtarët nga mungesa e sinjalistikës. Ata kërkojnë ndërhyrjen e menjëhershme të autoriteteve dhe vendosjen e masave të nevojshme të sigurisë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *