Tetori, në të gjithë botën është muaji i ndërgjegjësimit për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit, ku  organizohen fushata të ndryshme, me qëllim të nxisin gratë dhe vajzat që të kryejnë kontrolle të rregullta dhe të përfitojnë nga shërbimet falas apo lehtësuese për diagnostikimin e kancerit të gjirit.

Në kuadër të këtij muaji u organizua nga Bashkia, Drejtoria e Shëndetit Publik, Zyra Vendore e Arsimit para Universitar dhe gjimnazet e Bashkisë Lushnjë një marshim ndërgjegjues me nxënës shkollash që mbanin fjongon rozë në shenjë sensibilizimi me gratë dhe vajzat që të kontrollohen për të parandaluar kancerin e gjirit.

Këtij marshimi iu bashkuan gra dhe vajza punonjëse në institucionet e qytetit dhe u përshëndet nga qytetarë të shumtë.

Marshimi nisi nga kryqëzimi pranë poliklinikës përshkoi bulevardin “Kongresi”,  shëtitoren “Bulevardi i Palmave” dhe përfundoi tek postblloku në veri të qytetit.

Organizimi i këtij aktiviteti është vazhdimësi e fushatave të ndryshme për sensibilizimin e grave dhe vajzave por jo vetëm ndaj sëmundjes së kancerit të gjirit, e cila vitet e fundit po njeh një përhapje gjithnjë e më masive. 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *