I penduari i drejtësisë Erion Alibej ka treguar ditën e sotne vrasjet e Emiljano Ramazanin dhe Regis Runajt. Gjatë fjalës së tij, Alibej ka treguar rolin e Xhuliano Hoxhës në vrasjen e Emiljano Ramazanit në 2020, i cili e ruante gjatë gjithë kohës.

Ndërsa për vrasjen e Regis Runajt, Alibej pranoi se ka qenë organizator në bashkëpunim të ngushtë me Nuredin Dumanin dhe persona të tjerë. Alibej i ka kërkuar Xhuljan Hoxhës që vrasjen ta bëjë me thikë që të mos bëhej zhurmë.

Dëshmitë në GJKKO:

Erion Alibej: Nuk kishte një plan konkret. Emiljano Ramazani ka qenë njeri shumë i afërt i Talo Çelës dhe Mikael Qoses. Ka qenë njeri aktiv dhe unë kisha informacione pafund për Emiljano Ramazanin. Informacionet i merrja në rrugë të ndryshme, nga njerëz të ndryshëm. Ardjan Çollaku e Xhuljan Hoxha më jepnin informacion si dhe shumë persona të tjerë. Kam komunikuar me Xhuljan Hoxhën që të shkonte ta ruante tek palestra se rrinte shumë kohë aty. Emiljano Ramazani ka qenë gjithë kohën në vëzhgim deri kur u bë ekzekutimi. Unë dhe Xhuljano komunikonim në aplikacionin Sky ECC. Regis Runaj e njihja si informator dhe njeri shumë të afërt të vëllezërve Çopja, të Mikael Qoses. Njerëz që ishin ne vijimësi të krimeve që i kishin bërë familjarëve të mi. Për ekzekutimin e Regis Runaj , vendimin e kam diskutuar me Nuredinin. I dërgova dhe një mesazh Xhuljan Hoxhës, sepse ai më është vetëofruar për ekzekutimin e Regisit. Urdhrin për ekzekutimin e Regis Runaj e dhashë unë duke marrë dhe mendimin e Nuredin Dumanit, komunikonim bashkë.  

Ndërhyn Xhuljano Hoxha: Kush e dha urdhrin ti apo Nuredini?

Alibej: E shpjegova njëherë. Pas vrasjes së Emiljano Ramazanit komunikova me Nuredinin. Xhuljan Hoxha do kryente vrasjen e Regis Runaj. Kur morëm “OK” për ekzekutimin e Regis Runaj, i thash mundohu ta bësh me thikë që mos të bëhej zhurmë. Dhe kështu veproi. Nuk e kam ndihmuar Xhuljan Hoxhën me sende për të kryer vrasjen, ai u dakordësua direkt. Ekzekutimin e Regis Runaj e mora vesh në radio, ose ma komunikoi Xhuljano nuk më kujtohet mirë. Xhuljano Hoxhën e takova dy ditë pas vrasjes, sepse ai atë natë iku me familjen në plazh. Ai u paraqit në komisariat, pasi doli nga aty u takuam. Më shpjegoi pjesën e ekzekutimit se si kishte ndodhur. Më tha që kur më kanë marrë në pyetje ishte aty edhe motra e Regisit. Më tha që motra e Regisit i kishte thënë ke të fala nga Mikaeli. Më tha që shkoi për makinën e tij tek një garazh që kishte babai i tij te varrezat, kishte veshur kominoshe dhe kishte dal nëpër ferra, kanale dhe aty me thotë kishte pritur Regisin se e dinte që do vinte. Kur del Regisi, dal nga ferrat më thotë dhe e masakroj. Më thotë që ishte me njerëz të tjerë dhe se e masakroi, sepse të tjerët ikën më vrap.

Të pandehurit e dosjes “Plumbi i Artë” akuzohen për disa vrasje, atentate të mbetur në tentativë dhe vjedhje me dhunë, të zbardhura pas dëshmisë së bashkëpunëtorit të drejtësisë Nuredin Dumani. Prokuroria e Posaçme po vijon procesin për dosjen e bujshme, ku ka disa të pandehur. Nuredin Dumani është në cilësinë e të penduarit, si bashkëpunëtor i SPAK, duke zbardhur të paktën 12 vrasje dhe dhjetëra krime të tjera në një dekadë, si dhe porositë që merrte për ekzekutime, me pagesa deri në 200 mijë euro.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *