Emisionin investigativ “Stop”, transmetoi mbrëmë pamjet ku shfaqet një punonjës i Policisë së Burgjeve duke marrë para në këmbim të një leje shpërblyese për një të dënuar.  Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, në bashkëpunim me Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve, dhe nën drejtimin e Prokurorisë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, identifikoi dhe arrestoi Komisarin Irakli Leka, me detyrë Shef i regjimit të brendshëm në IEVP Lushnjë.

Hetimet paraprake kanë zbuluar deri më tani se punonjësi për 5 ditë leje marrte deri në 700 Euro nga të burgosurit, ose të afërmit e tyre.

Në deklaratën për shtyp të Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve njofton se

në vijim të ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme, ku Shefi i Regjimit të Brendshëm në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Lushnjë, Irakli Leka, u filmua duke marrë një shumë parash në këmbim të një leje shpërblyese për një të dënuar, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka ndërmarrë menjëherë masa administrative dhe disiplinore.

Me Urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm është pezulluar nga detyra Drejtori dhe Nëndrejtori i institucionit si dhe është përjashtuar nga radhët e Policisë së Burgjeve punonjësi i dyshuar për korrupsion pasiv.

Pas publikimit të pamjeve filmike në emisionin investigativ “Stop”, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, në bashkëpunim të ngushtë me Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm dhe nën koordinimin e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), ka bërë të mundur arrestimin e punonjësit të dyshuar brenda 30 minutash nga transmetimi i materialit filmik.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve falënderon median për angazhimin e saj në zbardhjen e rasteve të abuzimit me detyrën dhe thekson angazhimin e palëkundur për të garantuar integritetin, transparencën dhe zbatimin me përpikëri të ligjit në çdo hallkë të sistemit penitenciar.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds