Viti i ri shkollor 2025-2026 do të nisë në 8 shtator për arsimin bazë dhe arsimin e mesëm të lartë dhe do të përfundojë në 12 qershor 2026.
Lajmin e bëri sot të ditur ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, e cila ndau disa informacione të rëndësishme për vitin e ri shkollor 2025-2026.
Manastirliu informoi se për maturantët e klasave të 12-a viti shkollor do të përfundojë në 29 maj 2026.
Ministrja publikoi po ashtu edhe kalendarin e pushimeve të dimrit për arsimin bazë dhe arsimin e mesëm të lartë, i cili do të jetë nga data 22 dhjetor 2025, deri në 2 janar 2026.
Ndërsa pushimet e pranverës për arsimin bazë janë në periudhën 30 mars deri në 3 prill 2026.
Provimet kombëtare për klasat e 9-a të arsimit bazë do të zhvillohen gjatë periudhës 15-26 qershor 2026, ndërsa Matura Shtetërore në periudhën 1-26 qershor 2026.
Ministrja Manastirliu informoi se regjistrimet online në “e-Albania” për klasat e para dhe të dhjeta vijojnë deri në 31 gusht.
Edhe këtë vit librat do të shpërndahen falas para fillimit të shkollës. “Shkolla do të afishojë listën e librave dhe do të njoftojë datat dhe vendin e shpërndarjes”, theksoi Manastirliu.
Ministrja Manastirliu kujtoi edhe rregullat që duhen zbatuar në shkollë, si për shembull ndalimi i telefonave. “Në rast shkelje dhe mosrespektimi të rregullave do të ketë forcim të masave nga shkolla dhe lajmërim të menjëhershëm të prindit”, bëri të ditur ministrja.


