Presidenti i SHBA-së, Donald Trump është propozuar nga Pakistani për çmimin Nobel për Paqen 2026 në njohje të “ndërhyrjes së tij diplomatike” gjatë krizës së fundit Indi-Pakistan, e cila i çoi dy fuqitë bërthamore në prag të një lufte.
Lajmi është publikuar në rrjetin e Twiter X të qeverisë pakistaneze.
Sipas deklaratës zyrtare të qeverisë, thuhet se “Trump demonstroi largpamësi të madhe strategjike dhe aftësi të shkëlqyera shtetërore në një moment të trazirave të shtuara rajonale përmes një angazhimi të fuqishëm diplomatik”.
”Kjo parandaloi një konflikt më të gjerë midis dy shteteve të armatosura me armë bërthamore që do të kishte pasur pasoja katastrofike për miliona njerëz në rajon dhe më gjerë”, tha Islamabadi.
“Kjo ndërhyrje qëndron si një dëshmi e rolit të tij si një paqebërës i vërtetë dhe angazhimit të tij për zgjidhjen e konflikteve përmes dialogut”, tha deklarata.
Njoftimi vjen disa ditë pasi shefi i ushtrisë së Pakistanit, Asim Munir, pati një drekë të paprecedentë në Shtëpinë e Bardhë. Trump tha se ishte “i nderuar” që takoi Munirin.
Tensionet u rritën ndjeshëm në Azinë Jugore pas një sulmi vdekjeprurës më 22 prill në Kashmirin e administruar nga India.