Ka nisur prej tre ditësh procesi i verifikimit dhe evidentimit të dëmeve të shkaktuara nga zjarret, të cilat përfshinë 6 fshatra të bashkisë Fier. Në terren po vijojnë punën tre komisione, ndërsa faza e parë e verifikimit të banesave dhe objekteve të prekura tashmë ka përfunduar.
Sipas Drejtorit të Mbrojtjes Civile pranë Bashkisë Fier Nasip Bani, nga verifikimet e deritanishme rezultojnë 15 godina të djegura, kryesisht depo, stalla dhe objekte ndihmëse.
Ndërkohë, verifikimet vijojnë edhe për evidentimin e dëmeve në ullishte dhe pemëtari. Sipas Nënkryetarit të Bashkisë Fier Nusret Avdullai, fermerët e prekur nga zjarret duhet të plotësojnë një formular vetëdeklarimi për dëmet e pësuara. Më pas, komisionet do të kryejnë verifikimet në terren për të krahasuar deklarimet me situatën reale.
Avdullai ka pohuar gjithashtu se fermerët duhet të paraqesin edhe certifikatën e pronësisë ose kontratën e qirasë së tokës.
Dëmet në sektorin e bujqësisë llogariten në qindra milionë lekë, ndërsa për kompensimin e fermerëve të prekur do të kërkohet mbështetja e Ministrisë së Bujqësisë.
