SpaceX, kompania hapësinore e multimiliarderit Elon Musk, publikoi dokumentet për ofertën fillestare publike (IPO), duke zbuluar për herë të parë të dhëna financiare dhe detaje mbi një nga hyrjet në bursë që pritet të jetë ndër më të mëdhatë në histori.
Sipas dokumenteve të dorëzuara pranë Komisionit Amerikan të Letrave me Vlerë dhe Bursave (SEC), kompania realizoi të ardhura prej 18.7 miliardë dollarësh gjatë vitit të kaluar, por e mbylli vitin 2025 me një humbje operative prej 2.6 miliardë dollarësh.
Humbjet lidhen kryesisht me investimet masive në inteligjencën artificiale dhe zhvillimin e raketave të reja. SpaceX operon në disa sektorë, duke përfshirë lëshimet hapësinore, internetin satelitor Starlink, laboratorin e inteligjencës artificiale xAI dhe platformën sociale X.
Kompania kishte dorëzuar fillimisht një dosje konfidenciale në muajin prill, ndërsa versioni i publikuar tani sjell më shumë detaje për investitorët. SpaceX ka zgjedhur të listohet në bursën amerikane Nasdaq, ku aksionet e saj do të tregtohen me kodin “SPCX”.
Megjithëse kompania nuk ka bërë publik objektivin financiar të IPO-së, mediat ndërkombëtare raportojnë se ajo mund të kërkojë rreth 75 miliardë dollarë dhe të arrijë një vlerësim tregu deri në 1.75 trilion dollarë.
Nëse kjo realizohet, SpaceX mund të thyejë rekordin aktual për ofertën më të madhe publike në histori, të mbajtur nga Saudi Aramco, e cila mblodhi 25.6 miliardë dollarë në vitin 2019.
Dokumentet tregojnë gjithashtu se Elon Musk do të ruajë kontrollin e kompanisë përmes një strukture të veçantë të të drejtave të votës. Edhe pse ai do të zotërojë rreth 42% të kapitalit të kompanisë, do të kontrollojë rreth 79% të votave të aksionarëve.
SpaceX theksoi se kjo strukturë mund të përbëjë rrezik për investitorët, pasi Musk do të ketë ndikim të madh në vendimmarrjen strategjike dhe zgjedhjen e bordit drejtues.
Në dokumentet e publikuara, Musk përshkruan vizionin e tij për të ardhmen e tregtisë hapësinore, internetit satelitor dhe inteligjencës artificiale. “Ideja është të besojmë në të ardhmen dhe të mendojmë se ajo do të jetë më e mirë se e kaluara”, u shpreh ai.
