Dy deputetë të Partisë Socialiste, Erion Braçe dhe Vullnet Sinaj, kanë votuar kundër draftit të ri për reformën administrativo-territoriale, që parashikon uljen e numrit të bashkive nga 61 në 46.

Qëndrimi i tyre është shfaqur gjatë mbledhjes së grupit parlamentar socialist, ku drafti për hartën e re territoriale është hedhur në votim. Të dy deputetët kanë votuar kundër propozimit për shkrirjen e 15 bashkive.

Deputeti Sinaj e ka argumentuar qëndrimin e tij me kundërshtimin ndaj shkrirjes së Bashkisë Selenicë, e cila përfshihet në bashkitë që parashikohet të bashkohen në hartën e re territoriale.

Ndërkohë, ende nuk është bërë i ditur motivi konkret që ka çuar Erion Braçen të votojë kundër draftit. Gjatë mbledhjes, Braçe mësohet të jetë shprehur: “Më bën të shkoj drejt votës kundër”.

Propozimi i Partisë Socialiste parashikon që numri i bashkive në vend të reduktohet nga 61 në 46, përmes bashkimit të 15 njësive vendore.

Drafti po shqyrtohet në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, ndërsa miratimi i reformës territoriale në Kuvend kërkon të paktën 84 vota.

Qëndrimi i Braçes dhe Sinajt pritet të jetë pjesë e diskutimeve politike rreth hartës së re territoriale, në një proces ku opozita ka kundërshtuar propozimin e mazhorancës dhe ka kërkuar një proces më të gjerë konsultimi me njësitë vendore.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds