Në Izrael, Kryeministri Edi Rama është takuar me presidentin e vendit mik me Shqipërinë Isaac Herzog. Kreu qeverisë shqiptare është nderuar me një Medalje Nderi, në një ceremoni të posaçme, organizuar në Rezidencën Presidenciale në Jeruzalem, ku ai ishte i ftuar me bashkëshorten e tij, Linda Rama dhe delegacionin shqiptar që e shoqëron në këtë vizitë. “Medalja Presidenciale e Nderit të Izraelit nderon ata si ju, që kanë ndriçuar botën me udhëheqjen e tyre të jashtëzakonshme, qartësinë morale dhe vlerat demokratike dhe ata që kanë dëshmuar miqësinë e tyre të guximshme me popullin hebre dhe shtetin e Izraelit. Kodi shqiptar i besës, betimi i shenjtë i nderit, mbrojtjes dhe integritetit ndihet mjaft i pranishëm në këtë holl. Besa ka udhëhequr kombin shqiptar dhe ka mbajtur pishtarin e dritës në emër të të gjithë njerëzimit në orët e tij më të errëta, gjatë Holokaustit. Lidhja jonë po thellohet në kaq shumë fusha dhe sfera. Fluturimi i ri i drejtpërdrejtë midis Tiranës dhe Tel Avivit po thjeshton shumë udhëtimin dhe po ndihmon shkëmbimin e drejtpërdrejtë. Presidenti Isaac Herzog foli edhe për bashkëpunimin mes dy vendeve në shëndetësi. Dua të përgëzoj Qendrën Mjekësore Sheba dhe Qeverinë Shqiptare për nënshkrimin e marrëveshjes për të ngritur një projekt të përbashkët mjekësor në Shqipëri. Dua t’ju falenderoj ju, i dashur Edi, dhe mikun tonë të dashur, profesor Yitshak Kreiss, që është drejtuesi ekzekutiv i Sheba-s për çuarjen e kësaj gjëje përpara. Miqësia midis kombeve tona do të mbetet një fanar vullneti të mirë gjatë këtyre kohërave sfiduese të vështira. Shqipëria tha kryeministri Edi Rama do të jetë gjithmonë shtëpia juaj e dytë dhe ju do të jeni gjithmonë të mirëpritur në Shqipëri. Ne qëndrojmë të patundur krah Izraelit, në këtë moment të vështirë e të dhimbshëm, ku ende ka njerëz në bodrumet mesjetare të Hamasit. Siç e kam thënë më parë, dua ta përsëris dhe tani, Shqipëria ka qenë gjithmonë mbështetëse e zgjidhjes me dy shtete, por në këndvështrimin tim e në këndvështrimin tonë, nuk ka zgjidhje me Hamasin aty dhe ndryshe nga ç’janë përpjekur të tjerët të thonë, Hamasi nuk është lëvizje rezistence. Hamasi janë nazistët e shekullit të ri. Historia na ka mësuar se me nazistët nuk ka paqe, me nazistët nuk ka kompromis. Pres me padurim theksoi kryeministri Edi Rama të shoh paqen midis hebrejve dhe arabëve, mbetem vërtetë mirënjohës përgjithmonë, për këtë moment të jetës sime, që jam i sigurt, nuk e meritoj si person, por që jam i sigurt që të gjithë shqiptarët që kanë bërë diçka për hebrenjtë e meritonin këtë moment.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds