Kryeministri Edi Rama ka bërë një tjetër reagim në rrjetet sociale në lidhje me protestat që po mbahen prej ditësh kundër projektit të planifikuar për tu ndërtuar në Zvërnec.
Në video duket një turmë protestuesish, që janë grumbulluar përpara selisë së Partisë Socialiste në qendër të kryeqytetit dhe lëshojnë sharje tejet banale kundrejt kryeministrit dhe bashkëpunëtorëve të tij.
“’Shqipëria e shqiptarëve’ dhe këto çeta kinse shqiponjash që ulërasin kësisoj rrugëve, të kujtojnë “Gjermaninë e gjermanëve” me ata ulëritësat e verbër si këta mysafirët e natës tek selia e PS, që e kthyen Gjermaninë në thertoren e hebrenjve dhe e katandisën në delen e zezë të planetit.
Po meqë Gjermania naziste është larg dhe zëre se i kam përpara syve urrejtjenxitësit e këtyre të rinjve pa busull duke u thënë, “ju s’jeni nazistë ju jeni patriotë, prandaj jepini fort gojës së shthurur se do ta djegim Shqipërinë e tradhtarëve”, po shtoj që kjo “Shqipëria e shqiptarëve” është tëpkë si “Greqia e grekëve”, ajo e atyre çakejve të Agimit të Artë që donin t’i digjnin të gjallë “tradhtarët” e Greqisë bashkë me shqiptarët, të cilët sipas tyre po merrnin punët e paratë e popullit grek.
Çuditërisht edhe ata ishin kundër investimeve e resorteve cilësore, me të vetmin ndryshim se këta “shqiptarët tanë të vërtetë” nuk kishin gisht në kuturisjen e atyre, kurse ata kanë gishtin e tyre në kuturisjen e këtyre.
Fali Zot se s’dinë se ç’bëjnë thuhet në këto raste”, shkruan Rama.
