Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, në një konferencë për shtyp bëri të ditur se qeveria ka nisur punën për zhvillimin e ishullit të Sazanit, duke theksuar se ai do të mbetet në pronësi të shtetit shqiptar.

Ministrja Ibrahimaj pohoi se shteti shqiptar do të marrë pjesë në projekt si bashkinvestitor dhe bashkëpronar, ndërsa aktualisht po zhvillohen negociata me kompaninë për të përcaktuar përqindjen e pjesëmarrjes së shtetit në investim.

Sinc “Kemi filluar punën për të bërë disa veprime me zhvillimin e zonës së Sazanit. Është një ishull që do të mbetet në pronësi të shtetit shqiptar.

Në atë projekt shteti shqiptar do të përfshihet si bashkinvestitor, bashkëpronar.

Jemi duke negociuar me kompaninë për sa i përket përqindjes që shteti do të ketë në zhvillimin e projektit. Sapo të kemi një pasqyrë të qartë do të bëhet transparente”, pohoi Ibrahimaj.

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, gjatë konferencës për shtyp u ndal edhe te pensionet, duke kujtuar se në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave u miratua indeksimi i tyre me 2.7%, i cili do të hyjë në fuqi duke nisur nga muaji korrik.

Ajo theksoi se qeveria ka treguar vëmendje të veçantë ndaj grupeve më të ndjeshme të popullsisë gjatë periudhave të krizave, ndërsa shtoi se aktualisht inflacioni në vend është në nivelin 3%, në përputhje me objektivin e Bankës së Shqipërisë.

Megjithatë, Ibrahimaj garantoi se, nëse treguesit ekonomikë do të sinjalizojnë një rritje të ndjeshme të çmimeve, qeveria do të ndërmarrë masa të reja mbështetëse për pensionistët dhe shtresat më në nevojë

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds