Qeveria ka parashikuar një buxhet prej 8.8 miliardë eurosh për vitin 2026, me fokus të veçantë në rritjen e shpenzimeve sociale dhe investimeve publike. Sipas projektparashikimeve, 100 milionë euro do të përdoren për rritjen e pensioneve sipas skemës së re, ndërsa 135 milionë euro janë destinuar për rimbursimin e medikamenteve. Fondi i rindërtimit do të arrijë në 50 milionë euro. Të ardhurat buxhetore planifikohen në 823 miliardë lekë, ndërsa shpenzimet totale në 886.7 miliardë lekë, duke prodhuar një deficit prej 63.7 miliardë lekësh. Për kontratat koncesionare, janë parashikuar 120 milionë euro, një ulje e lehtë krahasuar me vitin aktual. Investimet publike për vitin 2026 do të përbëjnë 6.5% të PBB-së, ose rreth 179.6 miliardë lekë, përfshirë fondet e rindërtimit dhe financimet e pritshme nga plani i rritjes me BE-në. Në trevjeçarin 2026–2028, qeveria synon të sigurojë burimet për rritjen e pensionit minimal në 200 euro dhe atij mesatar në 400 euro në muaj. Po ashtu, buxheti mbulon efektet e rritjes së pagës minimale në 50 mijë lekë dhe parashikon për herë të parë indeksimin e pagave në administratën publike me 2.5%, duke hyrë në fuqi më 1 janar 2026. Në vijim, për vitin 2028, pritet që paga minimale të arrijë në 60 mijë lekë, e shoqëruar me indeksim të pagave të administratës sipas inflacionit të pritshëm.
