Ministri i Financave, Petrit Malaj këtë të enjte po prezanton në Konferencën e Kryetarëve projektligjin për buxhetin 2027. Partia Demokratike nga ana tjetër ka njoftuar se ka bojkotuar Konferencën e Kryetarëve duke argumentuar se nuk u është vënë në dispozicion asnjë dokument për projektbuxhetin, as relacionet shpjeguese dhe as dokumentacioni financiar që pritet të prezantohet.

Malaj gjatë fjalës së tij u shpreh se do të dyfishohet bonusi i pensionistëve. Sipas tij, bonusi i bebeve do të pësojë një rritje progresive, e cila do të shtrihet deri në moshën 5 vjeç të fëmijës.

“Mbi 10 miliardë lekë shpenzime publike më të lartat e ndonjëherë, më shumë para për pensionet shëndetësinë, mbrojtja sociale, arsimi por edhe mbrojtja dhe siguria. Janë fusha ku matet përgjegjsia e shtetit. Ka tre prioritete themelore, mirëqenia socilae, stabiliteti fiskal dhe investimet reformat dhe integrimi evropian.

Indeksimi do të bëhet në prill 2027, si dhe do të dyfishohet bonusi i pensionistëve, me vlerë 20 miliardë lekë. Deri në moshën 5 vjeç vlera e bonusit të bebeve do të rritet në mënyrë progresive”, tha Malaj.

Ministri i Financave theksoi se Shqipëria do të vijojë rrugën e konsolidimit fiskal, duke financuar zhvillimin pa rrezikuar stabilitetin ekonomik të vendit. Ai theksoi se të ardhurat buxhetore për vitin 2027 parashikohen të arrijnë në 907.9 miliardë lekë.

“Edhe në vitin 2027 do të vijojmë rrugën e konsolidimit fiskal. Shqipëria po financon zhvillimin pa rrezikuar stabilitetin. Të ardhurat buxhetore për 2027 parashikohen në masën e 907.9 miliardë lekë, 9.4 milionë euro ose sa 30.9 % e PBB.

Programi i të ardhurave mbështet synimin e Ministrisë së Financave për rritjen nëpërmjet miradministrimit tatimor dhe doganor, realizimin e reformave të rëndësishme si dhe mbajtjen nën kontroll të defiçitit buxhetor dhe borxhit publik. Në 2027 parashikohet që të ardhurat totale të arrijnë në 56 miliardë lekë ose 560 milionë euro më shumë krahasuar me ato të vitit 2026”, tha ministri.

Ndër të tjera, ai ka prezantuar dhe prioritetet kryesore që do të financohen në sektorin e arsimit.

“Prioritetet kryesore që do të financohen janë: 1.1 miliardë lekë për rritjen e bursave të studentëve që vijnë nga familjet në nevojë; 400 milionë lekë shtesë që shkojnë për përmirësimin e infrastrukturës së arsimit bazë; 500 milion lekë për programin mësimor after school dhe 100 milionë lekë për kërkimin shkencor. Përmes këtyre investimeve synojmë të përmirësojmë kushtet dhe të forcojmë lidhjet mes arsimit, dijes dhe zhvillimit të vendit”, u shpreh Malaj.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds