Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, po zhvillon një takim me aleatët e Federatës së Opozitës së Bashkuar në selinë e PD-së, ku është shprehur në lidhje me reformën territoriale. Ai shprehet se Rama po përdor shumicën në parlament për të përqendruar akoma më shumë pushtetin e tij.

“Ky takim lidhet me reformën territoriale. Ne u angazhuam në proces jo se nuk ishim të sigurt që Edi Rama nuk do angazhohej në një reformë të vërtetë, por ua themi këtu, dy qenë shkaqet për të cilat ne u angazhuam.

Së pari, ka pasur shumë kërkesa nga qytetarët që ne të mos braktisim këtë reformë dhe t’u lëmë socialistëve duar të lira. Së dyti, reforma territoriale është një nga dy kërkesat e Komisionit Evropian në raportin e tetorit që kaloi, se tani po vjen raporti i ri.

Nuk kishte diskutim që Edi Rama gjithçka do ndjekë dhe ato mandate të grabitura, ato 83 mandate krimi, ai do t’i shfrytëzojë për një përqendrim të mëtejshëm të pushtetit vendor në duart e tij.

Ndërprenë papritmas, siç e dini, jashtë të gjitha procedurave, sepse po vazhdonin konsultimet, dhe nuk kishin përfunduar konsultimet, megjithatë ai u tërhoq, paraqiti draftin me 46 bashki duke hequr edhe 15 të tjera, që të gjitha për qëllimet e tij elektorale.

Ne paraqitëm një draft prej 100 bashkish, duke lënë të hapur dhe mundësinë e krijimit të njësive të tjera na varësi nga plotësimi i kritereve për ekzistencën e tyre. Sigurisht Edi Rama vazhdoi me projektin e tij.

Është në kundërshtim me Kushtetutën dhe kartën e Kongresit të Autoriteteve Rajonale dhe Lokale të Këshillit të Evropës, të cilat kërkojnë që këto ndryshime të bëhen me konsultë dhe referendum. Por siç e dini nuk ka asnjë shans që ky të përfillë referendumin apo rekomandimet.

I plagosur rëndë dhe i pashpresë, ky tani merr çdo lloj vendimi që i intereson për lëkurën e tij. Ne, për hir të opinionit, për të sqaruar opinionin mirë në këtë pikë, kemi paraqitur ligjin tonë në parlament me 100 bashki, ligj i cili pa mëdyshje refuzohet nga socialistët.

Janë një numër bashkish që janë ngritur në protesta, në disa prej tyre as këshilltarët e tij nuk kanë pranuar të votojnë për shuarjen e bashkive. Është një situatë pra në të cilën mendova të këshillohem edhe me ju për këtë çështje të rëndësishme”, tha Berisha.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds