Një përçarje e dukshme ka dalë në pah brenda komunitetit shqiptar në Selanik, lidhur me qëndrimin ndaj Samitit të IV të Diasporës që pritet të mbahet në Tiranë.

Një grupim që pretendon të përfaqësojë shqiptarët e Selanikut është shprehur kritik ndaj organizimit të samitit, duke theksuar se diaspora nuk ka më nevojë për aktivitete ceremoniale, por për përfaqësim real dhe zgjidhje konkrete të problemeve. Në deklaratën e tyre, ata ngrenë shqetësime për sfidat e përditshme të emigrantëve, si dokumentacioni, punësimi, integrimi social, të drejtat, pensionet dhe arsimi i fëmijëve. Sipas tyre, këto çështje nuk zgjidhen “me fjalime dhe foto zyrtare”, por kërkojnë politika serioze dhe angazhim të drejtpërdrejtë.

Po ashtu, ky grupim ngre pikëpyetje mbi përfaqësimin në samit, duke akuzuar për përjashtim të zërave që, sipas tyre, janë realisht aktivë në komunitet. Në fund të deklaratës, ata theksojnë se diaspora duhet të jetë “partnere reale, jo dekor në aktivitete formale”, duke lënë të kuptohet një qëndrim kritik, deri në bojkot të aktivitetit.

Ndërkohë, një tjetër deklaratë, e publikuar nga Shoqatat e Komunitetit Shqiptar të Selanikut si pjesë e Komunitetit Shqiptar në Greqi, distancohet qartë nga ky qëndrim. Ky grupim mohon kategorikisht pretendimet për bojkot, duke theksuar se përfaqësuesit e tyre marrin pjesë rregullisht në punimet e samitit, në përputhje me vendimet e Asamblesë së Përgjithshme të Komunitetit Shqiptar në Greqi.

Kjo situatë nxjerr në pah mungesën e një zëri të unifikuar mes shqiptarëve në Selanik, ku dy grupime të ndryshme jo vetëm që kanë qëndrime të kundërta për një event të rëndësishëm si Samiti i Diasporës, por edhe kontestojnë legjitimitetin e përfaqësimit të njëri-tjetrit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds