Si rezultat i hetimeve profesionale dhe të thelluara, për zbardhjen e vjedhjeve të kryera më parë, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Mallakastër, të Komisariatit të Policisë Vlorë dhe të Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Vlorë, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Trekëndëshi”.
Si rezultat i operacionit u vunë në pranga shtetasit:
-M. K., 20 vjeç, banues në Vlorë, i dënuar më parë për vjedhje me armë dhe me dhunë, në një argjendari në Vlorë, i cili në momentin e arrestimit kishte me vete, një sasi lënde narkotike kokainë;
-G. V., 19 vjeç, banues në Vlorë;
-një 16-vjeçar, banues në Vlorë.
Nga veprimet hetimore rezultoi se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin:
-më datë 12.10.2023, kanë vjedhur një shumë parash dhe celularë, në një servis për këto pajisje, në Ballsh;
-më datë 13.10.2023, kanë tentuar të vjedhin në banesën e shtetasit A. Y., në fshatin Varibob;
-më datë 31.10.2023, kanë vjedhur një shumë parash, në një dyqan në Ballsh;
-më datë 31.10.2023, kanë vjedhur një shumë parash dhe disa kamera sigurie, në një biznes në fshatin Cakran.
Vijon puna për dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të kenë kryer këta shtetas.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.
