Viti i ri shkollor 2023- 2024 e ka gjetur shkollën “ Hajredin Fratari” në Fratar të Mallakastrës me problematika, për shkak të mungesës së investimeve për rikonstruksionin e çatisë e cila u përfshi nga flakët në orët e pasdites së 15 Majit për shkaqe aksidentale. Fatmirësisht shkolla ishte pa nxënës në momentin e rënies së zjarrit, ndërkohë që fillimi i vitit të ri shkollor e gjen këtë shkollë të parregulluar. 

Për shkak të strukturës së dëmtuar të çatisë, kati i dytë i godinës është jashtë funksionit duke sjellë mbipopullim nxënësish në katin e parë dhe për pasojë mësimin me turne. Kjo situatë ka alarmuar prindërit të cilët kanë protestuar sot duke kërkuar sqarime nga stafi drejtues. Ata pohojnë të indinjuar se mësimi me turne është i papranueshëm, pasi kjo shkollë frekuentohet nga nxënës të 15 fshatrave përreth në distancë të largët dhe me mungesë transporti.

Ndërkohë sipas Zv/Kryetarit të Bashkisë Mallakastër Zamir Malasi, ndërmarrja e shërbimeve është duke punuar për të bërë ndërhyrjen emergjente për të krijuar kushtë normale të  zhvillimit  të procesit mësimor dhe ka theksuar se procedura e prokurimit për ndërtimin e çatisë së re është në fazë përfundimtare.

Malasi ka pohuar gjithashtu se bashkia ka hartuar një projekt për ndërtimin e një shkollë të re 9-vjeçare në Fratar.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds