Kryeministri i zgjedhur i Hungarisë, Péter Magyar, u zotua të ndjekë penalisht ata që “plaçkitën” vendin, pas një fitoreje të thellë zgjedhore ndaj ish-kryeministrit Viktor Orbán, duke premtuar nisjen e një “epoke të re” politike.
Partia e qendrës së djathtë Tisza, e drejtuar nga Magyar, siguroi të paktën 138 nga 199 vendet në parlament, duke i dhënë atij një shumicë prej dy të tretash. Rezultatet përfundimtare pritet të konfirmohen deri më 4 maj, ndërsa formimi i qeverisë mund të ndodhë menjëherë pas kësaj.
“Populli hungarez nuk votoi për një ndryshim të thjeshtë qeverie, por për një ndryshim të plotë të regjimit”, deklaroi Magyar gjatë një konference për shtyp.
Magyar paralajmëroi masa të menjëhershme kundër korrupsionit dhe premtoi rikthimin e pavarësisë së gjyqësorit, garantimin e lirisë së medias dhe krijimin e një zyre për rikuperimin e aseteve për të hetuar “kriminelët politikë e ekonomikë”.
Ai theksoi se Hungaria do të bashkohet me Prokurorinë Publike Evropiane, duke i hapur rrugë hetimeve për përdorimin e fondeve të Bashkimit Evropian.
Magyar synon të zhbllokojë rreth 17 miliardë euro nga BE përmes reformave demokratike dhe forcimit të institucioneve.
Kryeministri i zgjedhur paralajmëroi ndryshime kushtetuese që do të kufizojnë mandatin e kryeministrit në dy mandate (tetë vjet). Nëse zbatohet në mënyrë retroaktive, kjo mund të pengojë Orban-in të rikandidojë në të ardhmen.
Magyar, tha gjithashtu se qeveria e tij do të ekstradojë politikanët e huaj në arrati, përfshirë ish-kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Nikola Gruevski, i cili është dënuar me burg në vendin e tij për akuza korrupsioni, por që mori azil nga qeveria e Viktor Orbanit.
Magyar e deklaroi këtë kur u pyet nga gazetarët për ish-ministrin polak të drejtësisë, Zbigniew Ziobro, dhe zëvendësin e tij Marcin Romanowski, të cilët u arratisën në Hungari pasi u akuzuan për shpërdorim detyre dhe veprimtari kriminale.
“Ata nuk duhet të blejnë mobilje këtu, sepse nuk do të qëndrojnë gjatë. Hungaria nuk do të jetë strehë për kriminelët ndërkombëtarë, dhe kjo nuk vlen vetëm për ta, por edhe për zotin Nikola Gruevski, ish-kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, i cili gjithashtu është i dënuar…”, tha Magyar.
