Refugjatë nga Bangladeshi, Egjipti, Gambia dhe Bregu i Fildishtë prekën tokën shqiptare mëngjesin e 28 janarit, në tentativën e tretë të Italisë për të bërë funksionale marrëveshjen me kryeministrin Edi Rama.
Anija e marinës italiane Cassiopea u ankorua në portin e Shëngjinit, me 49 emigrantë të kapur në brigjet e Lampedusas. Pjesa më e madhe e tyre janë nga Bangladeshi. Sipas mediave italiane, fillimisht emigrantët do të ndalen në port, ku është ngritur një hotspot “italian” për kryerjen e kontrollit shëndetësor.
Nëse vërehen kushte vulnerabiliteti, ata do të kthehen sërish në Itali, ashtu siç ka ndodhur në disa raste në muajt tetor dhe nëntor. Pasi emigrantët të jenë ushqyer dhe të jenë pajisur me rroba të reja, do të punohet për identifikimin e tyre. Destinacioni përfundimtar është kampi i Gjadrit, ku emigrantët do të kalojnë natën dhe javët e ardhshme, në pritje të vendimit për kërkesën e tyre për azil. Atyre të cilëve u refuzohet kërkesa do të transferohen në Qendrën e Pritjes dhe Ri-integrimit brenda kampit, ku është ndërtuar edhe një vend i posaçëm për ata që do të tentojnë të kryejnë vepra penale gjatë qëndrimit në kampin shqiptar.