Mesditën e sotme kanë mbërritur materialet zgjedhore në KZAZ 55 dhe 56 të Lushnjës si dhe KZAZ 57 të Divjakës me mjetet e transportit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Në selitë e komisioneve zonale të administrimit të zgjedhjeve, erdhën kutitë e votimit për qendrat e votimit të administruara nga KZAZ-të përkatëse. Në selinë e KZAZ 56 tek Muzeu Historik kanë mbërritur materialet zgjedhore të 65 qendrave të votimit që përfshijnë qytetin e Lushnjës, ndërsa në selinë e KZAZ 55 në palestrën e shkollës “Skënder Libohova” kanë mbërritur 92 kutitë e votimit të qendrave përkatëse të ishkomunave, sot njësi administrative.
Gjithashtu në KZAZ 57 në Divjakë në ambientet e qendrës kulturore kanë mbërritur 67 kuti të qendrave përkatëse të votimit. Materialet zgjedhore janë marrë nën administrim nga komisionet zonale të cilat i kanë verifikuar dhe kontrolluar.
Pritet që ditën e enjte të mbërrijnë dhe pajisjet e identifikimit PEI.
Gjithë procedura është ndjekur nga afër nga organet e rendit të cilat duke nisur nga sot të gjitha KZAZ do të qëndrojnë 24 orë nën monitorimin e tyre.
