Komisioni i Venecias dhe Drejtoria e Përgjithshme për të Drejtat e Njeriut dhe Shtetin e së Drejtës (DGI) kanë vlerësuar pozitivisht projektligjin “Për Financimin e Partive Politike”, i cili u dërgua për shqyrtim nga Kuvendi i Shqipërisë.

Në opinionin e tyre, ekspertët ndërkombëtarë përshëndesin faktin që projektligji është hartuar përmes një procesi gjithëpërfshirës, me pjesëmarrjen e mazhorancës, opozitës dhe shoqërisë civile, si dhe paraqet një përmirësim të dukshëm krahasuar me legjislacionin aktual.

Sipas Komisionit të Venecias, projektligji synon të rrisë transparencën, llogaridhënien dhe integritetin në financimin e partive politike. Ndër elementet pozitive përmenden raportimi më i detajuar financiar, përdorimi i platformave elektronike, forcimi i mekanizmave të kontrollit dhe auditimit, rregullimi më i qartë i burimeve të ndaluara të financimit dhe krijimi i një strukture të posaçme brenda Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Megjithatë, ekspertët theksojnë se projektligji ka nevojë për përmirësime të mëtejshme për të adresuar boshllëqet dhe dobësitë e evidentuara ndër vite. Ata vlerësojnë se dispozitat duhet të jenë më të qarta dhe më të detajuara, ndërsa rregullat teknike të lihen në aktet nënligjore.

Një nga shqetësimet kryesore lidhet me financimin indirekt dhe të fshehtë të partive politike përmes organizatave të lidhura me to, palëve të treta, platformave digjitale, agjencive të komunikimit, shërbimeve në natyrë apo përdorimit të burimeve publike.

Komisioni i Venecias rekomandon gjithashtu harmonizimin e rregullave për financimin e partive me ato të financimit të fushatave zgjedhore, forcimin e kompetencave dhe pavarësisë së KQZ-së në mbikëqyrjen e financimeve politike, si dhe rishikimin e sistemit të sanksioneve për shkeljet e ligjit.

Sipas opinionit, reformat e ardhshme në Kodin Zgjedhor duhet të mbyllin çdo boshllëk të mbetur dhe të sigurojnë një kuadër të plotë e të qëndrueshëm për financimin politik në Shqipëri.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds