Kërkimi shkencor është programi buxhetor që përfiton rritjen më të shpejtë në raport me vetveten në projektbuxhetin e arsimit për vitin 2027. Kështu bëri me dije ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro gjatë prezantimit të tij në komisonin e sotëm parlamentar.
“Kërkimi shkencor është fusha me rritjen më të shpejtë, ose me rritjen më të lartë në raport me vetveten: programi financohet me 2,27 miliard lekë, afërsisht 25 milion euro, me një rritje 28,2%. Investimet kapitale nga buxheti i shtetit pothuajse dyfishohen, nga 350 në 650 milion lekë. Sipas planit që kemi berë, kjo rritje shkon në 750 milion lekë në 2028dhe 850 milionë në 2029. Pra vetëm për investimet kapitale në programin e kërkimit shkencor financojmë 2,25 miliard lekë në tre vjet, dhe bashkë me financimin e huaj arrijnë 3,45 miliard lekë, rreth 38 milion euro.
Në 2027 financohen projektet kërkimore të Agjencisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit me 584 milion lekë dhe tre laboratorë të rinj në universitete, me 66 milionë: një laborator për analizimin e komponimeve; një projekt për modifikimin termik të materialeve në Universitetin Bujqësor, dhe Laboratori i Simulimit Virtual të Imazherisë Diagnostike në Universitetin e Mjekësisë. Ndërkohë, brenda muajit nëntor, hapim edhe thirrjen për Projektet e Infrastrukturës në Kërkimin Shkencor, thirrje e dedikuar vetëm për investimet në laboratorët e universiteteve publike dhe infrastrukturës së nevojshme për të kryer kërkim shkencor”, tha ministrja Kumbaro.
Ministria e Arsimit paguan edhe kuotën e pjesëmarrjes së Shqipërisë në programet ndërkombëtare që më pas sjellin projekte për universitetet dhe kërkuesit, siç janë Horizon Europe dhe Erasmus+, por gjithashtu edhe duke financuar bursat Fullbright të studentëve, për të studiuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e të gjitha këto shkojnë në shumën 360 milionë lekë.
Sa i përket programeve europiane, përmes kuotës që Ministria e Arsimit paguan duke i bërë të aksesueshme për institucionet shqiptare, synimi është që Shqipëria të fitojë 20 projekte në Horizon Europe në 2027 dhe 2028 dhe 23 në 2029, si edhe synohet të financohen drejtpërdrejtë 112 kërkues në vit, me përparësi për gratë, të cilat synohet të jenë të paktën 40% e fituesve të granteve.
Duke folur për mbështetjen e programit të doktoraturave ministrja Kumbaro sqaroi: “Në të njëjtën linjë është thirrja për Financimin e Studimeve të Doktoraturës 2026, e hapur këto javë: buxheti i dedikuar kaloi 670 mijë euro, nga rreth 100 mijë vitin e kaluar, me mbështetje deri në 10 mijë euro për doktoraturat standarde dhe deri në 30 mijë euro për ato industriale.”
