Laguna e Karavastasë, më e madhja në Shqipëri, me sipërfaqe prej 5.300 hektarësh, nga viti në vit po humbet vlerat.
Në këtë lagunë historikisht ka patur një ndërmarrje peshkimi dhe kjo ndërmarrje po vjen drejt falimentimit.
Organizata e mbikqyrjes së Peshkimit në lagunë jep alarmin pasi nuk bëhet fjalë vetëm për anën ekonomike, por mungesa e sasive të peshkut rrezikon zhdukjen ose largimin e pelikanëve, karabullskut, çapjeve, flamingove e shpendëve të tjera migratore që ushqehen në këtë habitat. Fitim Malko Administratori i organizatës rendit një sërë faktorësh të cilët po japin efekt negativ por në mënyrë të veçantë këtë vit.
Gjithashtu Malko bën apel institucioneve të cilat kanë për detyrë të mbrojnë këtë lagunë me vlera shumë dimensionale.
Sikur të mos mjaftonin kushtet që kanë çuar në këtë situatë, prej 5 vitesh gaforrja është bërë armiku kryesor i lagunës.
Nga vëzhgimi i bërë sot në Dajlan, gjatë vjeljes nga peshkatarët, në 100 kilogramët e nxjerra kishte vetëm 1 kg peshk dhe 99 kg gaforre.
